Bllokohen këpucë 500 mijë $ kontrabandë
Policia arreston dy persona dhe shpall dy të tjerë në kërkim për mallrat që hynin nga Kosova
TIRANË- Një skemë e kalimit të mallrave kontrabandë nga pika e kalimit kufitar në Morinë u godit, nga Antikrimi Ekonomik i Policisë së kryeqytetit. Dy persona u arrestuan, ndërsa një tjetër do të ndiqet në gjendje të lirë, për akuzën e kondabandimit të mallrave në drejtim të Shqipërisë nga Morina.
Ndërkaq, policia bllokoi rreth rreth 20 mijë palë këpucë kontrabandë që transportoheshin me një kamion nga Kukësi në Tiranë me destinacion tregun industrial në rrugën "5 Maji". Vlera e mallit të bllokuar dhe sekuestruar nga policia mësohet se kap shifrën e 500 mijë dollarëve amerikanë.
Të arrestuarit janë Durim Myslia, 23 vjeç dhe Zymbil Trota, 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, ndërsa Bujar Shehu, 40 vjeç, do të ndiqet në gjendje të lirë. Të tre të arrestuarit janë identifikuar si tranportues të mallit, dhe transportonin në kryeqytet për llogari të një tregtari. Burimet nga policia u shprehen dje se janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë që dyshohet të kenë ndihmuar të arrestuarit për transportimin e këpucëve kontrabandë nga Kukësi në Tiranë.
Në një deklarim zyrtar të Policisë së Tiranës, thuhet se malli vinte nga Bullgaria dhe hynte në vendin tonë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar në Morinë. Malli i sekuestruar është këpucë dhe atlete të numrave të ndryshëm dhe nga verifikimet që janë bërë nga specialistët e Seksionit të Antikrimit Ekonomiko-Financiar në Policinë e Tiranës ka rezultuar që malli nuk kishte kryer procedurat e zhdoganimit dhe të origjinës.
Dyshohet se kontrabanda realizohej me dy automjete furgonë dhe malli pasi vinte kontrabandë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Morinës, shkarkohej në kamionin tip "Benz" me targë KU 2536 A.
Mësohet se kamioni me targa të Kukësit ishte në pronësi të njërit prej të arrestuarve, Zymbyl Trota, dhe është sekuestruar bashkë me mallin e pa zhdoganuar. Këta të fundit bashkëpunonin me një nga biznesmenët e kryeqytetit për të sjellë mallin të pa zhdoganuar, kundrejt pagesës që do të merrnin për çdo palë këpucë.
Policia e kryeqytetit po heton nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, ndërkohë që edhe strukturat tatimore në Tiranë kanë nisur hetimet për kalimin pa u zhdoganuar këpucët. Durim Myslia dhe Zymbil Trota do të hetohen për veprat penale të tregtimit dhe transportimit të mallrave që janë kontrabandë si dhe ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë.