E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet i dënuari për trafik femrash

Gjykata e Lushnjes ka dënuar Liçin me 15 vite burg, për trafikimin e një femre në bashkëpunim me të atin në vitin 2002

TIRANË- Interpol Tirana ka ekstraduar dje nga Italia një të dënuar me 15 vjet burg për trafik të femrave për qëllime prostitucioni. Në një njoftim zyrtar të Policisë së Shtetit thuhet se Gentian Liçi, 34 vjeç, nga Peqini u ekstradua dje rreth orës 11.30 nga Roma për të vuajtur dënimin që ka marrë nga autoritetet e drejtësisë shqiptare.

Mësohet se i ekstraduari, në bashkëpunim me babain e tij ka trafikuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni një vajze me inicialet I. T nga Lushnja. Mësohet se 34-vjeçari është ndihmuar dhe nga disa persona të tjerë të njohur të tij që të trafikojë vajzën nga Lushnja.

Nga burimet policore mësohet se i ekstraduari ka shfrytëzuar gjendjen e vështirë ekonomike të të dëmtuarës dhe familjarëve të saj, me anë të veprimeve mashtruese.

I dënuari me bashkëpunëtorët e tij kanë arritur të bindin prindërit e vajzës që është trafikuar, që kjo e fundit të martohej me Gentian Liçin, me pretendimin se të dy do të shkonin në Itali për të punuar. Por kur e dëmtuara ka humbur kontaktet më familjarët, më datën 18 prill 2002, nëna e të trafikuarës me inicialet I. T ka bërë kallëzim penal dhe më pas kanë nisur hetimet për gjetjen dhe arrestimin e tutorëve.

Pas informacioneve të Policisë shqiptare, Interpol Roma ka arrestuar më datë katër gusht të vitit 2009, Gentian Liçin, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë që gjykata e Lushnjes e ka dënuar Liçin katër vjet më parë me 15 vjet heqje lirie për veprën penale të trafikimit të femrave për prostitucion. Nga burimet e policisë mësohet se edhe babai i të ekstraduarit Petrit Liçi është dënuar me 15 vjet burg po për të njëjtën akuzë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›