Pedagogët shpërdoruan detyrën, paratë te sekserët

Hetimi disa mujor i policisë dhe prokurorisë, zbuloi se pedagogët i kalonin studentët pa qenë të pranishëm për një drekë me sekserët
TIRANË- Njësia e Task-Forcës së prokurorisë së kryeqytetit, dy ditë pas arrestimit të dy pedagogëve, dy "sekserëve" të tyre si dhe ndjekjen penale në gjendje të lirë ndaj dy studentëve të tjerë, zbardh hetimet nëntë mujore.
Sipas burimeve, prokuroria nuk ka arritur ta provojë, pas hetimeve 9 mujore se dy pedagogët e Universitetit Bujqësor kanë marrë ryshfet nga "sekserët" e tyre për kalimin e studentëve në provim.
Ndërkohë është provuar se strudentët kanë paguar "sekserët" për provimet dhe çuditërisht më pas edhe i kanë marrë ato. "Nga hetimet disa mujore, me metoda specifike të përgjimit ambiental e telefonik si dhe të vëzhgimit të përditshëm, është provuar se dy të arrestuarit, Kujtim Balla, punonjës i administratës së Universitetit Bujqësor dhe Fatmir Çuni, nënoficer në Repartin Ushtarak pranë Universitetit Bujqësor, iu kanë marrë shuma të ndryshme parash, studentëve për të fituar provimet në lëndët e dy profesorëve Astrit Frakulla dhe Vasil Kashuta, pranë Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit, në Universitetin Bujqësor.
Është provuar se "sekserët" kanë marrë në pesë raste të zbardhura nga 25 mijë lekë të reja për çdo student që donte të kalonte provimin me Kashutën dhe Frakullën. Por, edhe pse është provuar se ata kanë marrë para nga studentët, në asnjë rast nuk është provuar se ato iu janë dorëzuar pedagogëve, veç disa drekave dhe darkave me ta",-thanë zyrtarët e prokurorisë.
Për këtë shkak, prokuroria nuk ka ngritur ende akuzën e "korrupsionit pasiv", por vetëm atë të "shpërdorimit të detyrës". Kjo akuzë dyshohet se është konsumuar nga profesorët, pasi studentët që kishin paguar "sekserët" për provimet rezultojnë, se edhe pse e kishin dorëzuar tezën e bardhë, apo pa qenë fare prezent, kanë marrë provimin tek këta dy pedagogë.
Gjithashtu, edhe vetë pedagogët e arrestuar, të pyetur nga hetuesit, kanë mohuar se kanë marrë ryshfet apo janë paguar nga dy "sekserët" e arrestuar. Ata kanë pretenduar se mund të jetë abuzuar me njohjen mes tyre.
Gjatë nëntë muajve, hetuesit kanë kryer me vendim të gjykatës, hetime speciale, si ndjekje, vëzhgim dhe përgjim të dy "sekserëve". Këta të fundit dyshohet se kanë abuzuar, me njohjen që kishin me pedagogët që tashmë ndodhen në "arrest shtëpie" me vendim të Gjykatës së Tiranës.
Ndërkaq, për dy "sekserët" gjykata, me kërkesë të prokurorisë vendosi masën e sigurisë "arrest burg" deri në fund të hetimeve, duke i akuzuar për "ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që kryejnë funksione publike".
Po kështu është ngritur akuzë edhe ndaj dy studentëve të këtij Universiteti, Pishtar Elezajt dhe Dritan Dodës për "ryshfetin" e ofruar për kalimin e provimit me dy pedagogët. Dy ditë më parë, me urdhër të prokurorisë, policia arrestoi edhe infermierin e QSUT-së shtetasin Astrit Bara si i dyshuar për ndërhyrje tek dy profesorët e arrestuar.
Ndërkohë, sot mësohet se të ndaluarit do të dalin para gjyqtares Fatmira Hajdari e cila me kërkesë të prokurorit Armand Gurakuqi ka caktuar masat e sigurisë, për verifikimin e masës me personin e arrestuar.