E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, qyteti rekord i aborteve spontane

Zonat industriale kanë më tepër probleme tek gratë të cilat dëshirojnë të kenë fëmijë, por barra ndërpritet

Gjatë vitit që u mbyll, 800 aborte përkundrejt 2500 lindjeve janë kryer në maternitetin e qytetit myzeqar

FIER - Abortet mbeten në një nivel shqetësues në qytetin e Fierit, aq më tepër që, sipas specialistëve, shumë prej tyre janë ndërprerje shtatzënie pa vullnetin e gruas. Megjithatë, në vitin që kaloi në maternitetin e Fierit janë kryer 2500 lindje dhe 800 aborte.

Një shifër kaq e lartë shpjegohet nga drejtuesi i këtij institucioni, Besnik Ibrahimaj, i cili jep edhe shkaqet për këtë, duke theksuar se nga ana e personelit mjekësor, angazhimi ka qenë në maksimum kundrejt nënave.

Shifrat

Mjeku Ibrahimaj e pohon faktin se lidhur me abortet në rrethin e Fierit ka shifra që të shqetësojnë. Sipas tij, pas viteve '90, abortet në këtë rreth janë kthyer në një fenomen shqetësues, ku numri i grave që abortojnë është i madh.

Abortet nuk kryhen vetëm për arsye shëndetësore, të cilat dikur lejoheshin me komision, por edhe për shkaqe të tjera, prej të cilave faktor kryesor mbetet gjendja ekonomike e familjeve.

Një ndërprerje shtatzënie për shkak të gjendjes ekonomike ndodh edhe sot, sidomos në familjet që kanë më shumë se katër fëmijë. Sipas mjekut Ibrahimaj, për vitin 2009 shifrat janë me të vërtetë shqetësuese.

Për vitin që sapo lamë, kanë abortuar 800 gra të moshave të ndryshme këto të ndara në ndërprerje shtatzënie me ose pa vullnetin e gruas. Ai thotë se një shifër e tillë nuk i përket vetëm qytetit myzeqar, pasi në këtë spital vijnë edhe gra nga Patosi, Ballshi etj, pasi abortet mund të bëhen vetëm në këtë institucion.

Shkaqet

Abortet, sipas mjekut Ibrahimaj, ndahen në ndërprerje shtatzënie me dëshirën e gruas, përkundrejt një çmimi me faturë, si dhe aborte që bëhen si pasojë e shëndetit të saj. Ndërkohë, abortet ku barra ndërpritet vetvetiu në organizmin e gruas janë në një numër të madh, madje sipas Ibrahimajt, Fieri mban kampion krahasuar me të gjitha qytetet e Shqipërisë, e vërtetuar kjo në një studim të kryer, ku qyteti myzeqar u rendit i pari. Kështu, fëmija shkon deri në 7-8 javë dhe më pas barra ndërpritet, pasi fëmija nuk zhvillohet.

Një gjë e tillë vjen si pasojë e faktit që rrethi i Fierit është një vend industrial. Një nga shkaqet mund të jenë veprat industriale, të tilla si uzina e Ballshit, e cila u shkakton probleme nënave. Të tilla aborte ndodhin dhe në Patos e Fier. Në këto raste gruaja dëshiron të ketë fëmijë, por është një ndërprerje e pavullnetshme e barrës.

Moshat

Moshat të cilat kryejnë zakonisht aborte janë 20-35 vjeç. Nuk përjashtoen edhe mosha më të vogla, por raste të tilla janë të rralla, sipas Ibrahimajt.

Ai rrëfen se në rastet kur kanë të bëjnë me vajza nën 18 vjeç nuk ndërhyhet nëse nuk firmos prindi, ashtu siç përcaktohet edhe nga ligji. Mjeku tregon se vitin e kaluar një vajzë e re ka ardhur dhe ka kërkuar ndihmë për ndërprerjen e shtatzënisë pa dijeninë e prindërve. "Kemi ndërhyrë bashkë me një mjek tjetër për të biseduar me prindërit dhe ky problem është zgjidhur",- shprehet Ibrahimaj.

Planifikimi

"Edhe pse kemi shumë aborte, kjo nuk do të thotë se nuk është bërë një punë e mirë nga mjekët e planifikimit familjar që ndodhen në maternitetin e Fierit, - vijon shefi i këtij institucioni. - Tashmë, gratë e dinë se planifikimi familjar varet nga dëshira e tyre dhe i kanë të gjitha mundësitë të mos marrin trajtime mjekësore dhe të mos rrezikojnë jetën. Në këto raste duhet të shkohet te konsultori i gruas.

Në qytetin e Fierit janë dy të tilla dhe një tjetër është në maternitetin e Fierit ku specialistë të kësaj fushe japin konsulenca për të mos bërë aborte. Në këtë maternitet ndodhen 15 obstetër-gjinekologë që bëjnë konsulencën e planifikimit familjar", përfundon Ibrahimaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›