Bllokohen kompjuterët e bazës “sekrete” të virxhinit në Golem
Tiranë- Provat e mbledhura gjatë hetimit, për kontrabandën e naftës “virxhin”, tashmë kanë kaluar në verifikimim e imtësishëm të Prokurorisë, që dyshon se në këtë skandal janë përfshirë edhe persona të tjerë. Ditën e djeshme, Prokuroria ka dërguar pranë Institutit të Policisë Shkencore të gjitha provat e siguruara gjatë kontrollit të ambienteve, apo zyrave të dy kompanive që dyshohet se janë përfshirë në aferën që sillte miliona euro fitime. Të paktën dy kompjutera të sekuestruar në ambientet e kompanisë “Euroil”, si dhe materiale të tjera, si CD me përmbajte të ndryshme, apo dhe dokumente të tjera, tashmë do të analizohen në mënyrë të detajuar në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës. Ky institucion ka marrë dje në dorëzim të gjitha materialet e dërguara nga prokuroria, ndërsa organi i akuzës mbetet në pritje të rezultateve që mund të ndihmojnë vijimësinë e hetimit për këtë çështje. Sipas burimeve mësohet se dy kompjuterat dhe sendet e gjetura nga kontrolli i ambienteve të marra me qira në Golem të Kavajës, mund të ketë të dhëna që flasin për shit-blerjet e naftës “virxhin”, e cila zyrtarisht blihej për eksport. Gjithçka pritet të verifikohet në mënyrë të detajuar nga ekspertët, ndërsa prokuroria thotë se në dy kompjuterat e sekuestruar dyshohet se ka të dhëna që mund t’i vijnë në ndihmë hetimit. Paralelisht me këtë proces, grupi hetimor ka vijuar me mbledhjen e provave të tjera, për të provuar akuzat e ngritura ndaj 12 të arrestuarve. Dëshmitë e marra pritet të pasohen nga një akt i plotë ekspertimi mbi sasitë e naftës “virxhin” që janë blerë nga kompania “Euroil” që prej vitit 2007 deri në qershor të vitit 2009, ndërsa grupi hetimor do të tentojë hetimin edhe në një tjetër fushë. Duke qenë se nafta “virxhin”, e përzierë me benzinën shkakton dëmtime të shumta, si në automjet, ashtu edhe në ambient, grupi hetimor sipas burimeve, nëpërmjet ekspertëve do kërkojë të përcaktojë shkallën e ndotjes që i shkakton ambientit “virdhini”, e cila mund të përdoret vetëm si lëndë e parë për benzinën. Sipas prokurorisë, mësohet se hetimet për 17 mijë ton “virxhin”, që zyrtarisht rezulton e eksportuar, por në fakt është rihedhur në treg, do të kompletohen pas rimarrjes në pyetje të të arrestuarve. Katër biznesmenët e prangosur për mashtrim me pasoja të rënda, por edhe punonjësit e tjetër të kompanisë që kryenin transportin e virxhinit, pritet të përballen me prokurorët dhe hetuesit e çështjes gjatë ditëve në vijim, në kuadër të hetimeve për kontrabandën e naftës. Bashkë me ta, grupi i hetimit ka thirrur për të marrë në pyetje edhe persona të tjerë që kanë dijeni mbi procesin e shit-blerjes së naftës “virxhin”, e cila blihej me qëllim eksporti. Përfshirja e Tatimeve dhe Doganave në këtë veprimtari ka shtrirë hetimet edhe në këto dy institucione, ku prokuroria pritet të zbarkojë për të pyetur personat që mund të kenë dijeni mbi falsifikimin e dokumentacionit, i cili zyrtarisht tregon se nafta “virxhin” është eksportuar, por sipas prokurorisë ajo është përzierë me benzinën dhe është rihedhur në treg.