E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykatat, shumë zvarritje, pak progres

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar rezultatet e një monitorimi 2-mujor në disa gjykata të vendit, monitorim ky i cili ka ardhur pas ankesave të shumta të qytetarëve. Mungesa e transparencës dhe zvarritja e proceseve kanë qenë dy nga problemet më të mëdha të evidentuara. Në raport, KSHH bën të ditur se në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatat e Apelit është respektuar aksesi i publikut dhe i medias. Përsa i përket gjykatave të rretheve gjyqësore, publiciteti lë për të dëshiruar. Edhe pse formalisht seancat gjyqësore kanë qenë me dyer të hapura, ato janë zhvilluar në zyrat e gjyqtarëve, të cilat për shkak të hapësirës së vogël, nuk mundësojnë pjesëmarrjen e publikut. “Zhvillimi i seancave gjyqësore në zyra, cenon aksesin e qytetarëve për të marrë pjesë në seancat gjyqësore, parimin e publicitetit si dhe dobëson kontrollin e publikut ndaj veprimtarisë së gjykatës. Mendojmë se kjo ndodh për shkak të: numrit të kufizuar të sallave gjyqësore, mungesa e infrastrukturës së sallave ekzistuese, numrit të lartë të seancave gjyqësore në ditë, si dhe mungesës së organizimit të brendshëm të gjykatës”, – thuhet në raportin e KSHH-së. Një tjetër pikë e monitorimit kishte të bënte dhe me respektimin e orareve, ku edhe në këtë rast, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka vërejtur se këto orare nuk zbatohen. Ndërkohë, KSHH-ja i ka kushtuar dhe një rëndësi të madhe zvarritjes së proceseve gjyqësore. “Nga monitorimi ka rezultuar se nuk është respektuar afati 10 ditor i fillimit të gjykimit nga data e regjistrimit, afat ky i parashikuar në Kodin e Procedurës Penale. Gjithashtu në kundërshtim me normat procedurale, ka rezultuar se seancat gjyqësore shtyhen për 25 – 45 ditë, sidomos ato me trup gjykues. Ka rezultuar se shkaqet kryesore të shtyrjes së seancave gjyqësore kanë qenë: mungesa e të pandehurve, mungesa e dëshmitarëve, mungesa e avokatit, mungesa e prokurorit, mosformim i trupit gjykues, komunikim i pasaktë të pandehurit dhe dëshmitarëve.” – raporton KSHH. Në fund, Komiteti Shqiptar i Helsinkit konstaton se situata vazhdon të mbetet e njëjtë në sistemin gjyqësor, se vërejtjet që bën shoqëria civile, por dhe gjetjet e organeve përkatëse, si KLD ,nuk po e ndryshojnë situatën në sistemin gjyqësor. “KLD-ja dhe Ministria e Drejtësisë nuk kanë qenë në gjendje t’ju japin zgjidhje kësaj problematike që mbartet prej vitesh. Do të sugjeronim gjithashtu që herë pas here, këto institucione, por edhe vetë drejtuesit e gjykatave duhet të monitorojnë dhe raportojnë mbi ecurinë e këtyre problemeve dhe të marrin masat për përmirësimin e gjendjes”, – mbyllet raporti i hartuar për gjyqësorin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›