Bllokohen në Kakavijë 15 kg heroinë, bllokohet transportuesi i mallit
KAVAJË - Një operacion i organizuar nga agjentët antidrogë ka bllokuar në afërsi të Kavajës plot 15 kilogram heroinë si dhe ka arrestuar një person. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë të cilët kanë sqaruar se droga është kapur në një automjet i cili po udhëtonte në drejtim të Durrësit. Pas gjurmimeve të policisë dhe në sajë të operacionit të organizuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës është bërë i mundur bllokimi i trafikimit të kësaj sasie droge si dhe është arrestuar transportuesi. Sipas burimeve policore, autori që po transportonte heroinën është shtetasi Lutfi Shabani, i cili është kapur në kushtet e flagrancë dhe është arrestuar menjëherë nga forcat e antikrimit. Aktualisht policia është duke hetuar për të zbuluar origjinën dhe destinacionin e plotë të drogës, ndërsa dyshohet se heroina ishte nisur për trafikim në drejtim të Italisë. Prej disa javësh nuk ishte identifikuar asnjë rast i trafikimit të lëndëve narkotike përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijës. Një fillimin e muajit të kaluar, policia gjeti të fshehur në pjesë të ndryshme të një makine një sasi prej 16 kilogramësh heroinë. Po ashtu, gjatë muajve maj-qershor janë regjistruar disa raste të tjera të trafikimit të drogave të ndryshme si heroinë, kokainë, Cannabis sativa, etj..
Prangosen dy persona, trafikuan klandestinë drejt Greqisë
GJIROKASTËR – Edhe dy persona të tjerë janë ndaluar nga forcat e rendit për trafikim klandestinësh. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se shtetasit “Skënder Shkurti, 36 vjeç dhe Enver Zhupa, 23 vjeç, që të dy lindur dhe banues në qytetin e Beratit, janë ndaluar në vendin e quajtur “Arrët e Badlonjës”, rreth 10 kilometra larg qytetit të Përmetit. Sipas tyre, Shkurti dhe Zhupa po ndihmonin për kalim te paligjshëm të kufirit katër shtetas, që të gjithë nga Berati. Njoftimi zyrtar sqaron se dy trafikantët do ti kalonin drejt Greqisë bashkëqytetarët e tyre kundrejt një shume prej 500 euro për secilin. “Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme’, - thonë burimet e policisë së qarkut jugor. Pak ditë më parë u organizuan operacionet e koduara “Korridori i lirë”, “Igumenica” dhe “Butrinti”, të cilët sollën arrestimin e 19 personave të përfshirë në disa rrjete të trafikut klandestinë drejt Greqisë dhe Italisë.
25 Korrik 2008