E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Marrëveshja me Maqedoninë hap i madh për dy vendet



Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, përshëndeti dje nëpërmjet zëdhënësit të tij ratifikimin e marrëveshjes në parlamentin maqedonas për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. “Presidenti i Republikës së Shqipërisë e përshëndet këtë akt të Parlamentit të Maqedonisë dhe shpreh besimin e tij të plotë se aplikimi i kësaj marrëveshjeje do të japë produkte të konsiderueshme pozitive për shtetasit e të dy vendeve tona. Presidenti i Republikës e konsideron këtë marrëveshje si reformën më të thellë në sistemin e lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitaleve dhe të mirave materiale midis vendeve tona, si fryt i përpjekjeve tona integruese dhe si pjesë e rëndësishme e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Lëvizja e lirë, sipas Presidentit Topi, është guri i provës së lirisë, së demokracisë, i çlirimit përfundimtar nga izolimet ideologjike, hapi i njohjes së ndërsjellë të popujve të Ballkanit Perëndimor, është ndarja përfundimtare nga paragjykimet nacionaliste e etnike, është sistemi më demokratik i shkëmbimit të vlerave kombëtare, historike dhe turistike, është themeli i shëndoshë për ndërtimin e një rajoni të begatë dhe të zhvilluar për të gjithë popujt e tij”-është shprehur Presidenti gjatë një njoftimi për shtyp.

25 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›