Tri granata në rrugë alarmojnë banorët e Vlorës
VLORË - Tre granata të hedhura në anë të rrugës pranë stadiumit të Vlorës kanë alarmuar banorët e zonës së Skelës, të cilët kanë lajmëruar policinë. Ka qenë telefonata e një banoreje të kësaj zone e cila ka njoftuar për vendndodhjen e granatave përpara një autobusi pranë stadiumit rreth orës 12:30 të ditës së enjte. Menjëherë grupi i gatshëm ka shkuar në vendin e njoftuar ku ka konstatuar granatat, të cilat kanë qenë pa detonatorë përsipër. Sipas policisë, granatat në gjendjen e gjetur nuk paraqisnin rrezikshmëri pasi mungesa e detonatorit bënte që granatat të mos ishin funksionale, ndërsa kanë shtuar se lëndët plasëse mund të jenë hedhur nga persona të papërgjegjshëm me qëllim për ti larguar nga banesat e tyre.
Zjarri djeg 1.5 hektarë pemë frutore
ELBASAN - Një zjarr ka rënë në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës në fshatin Selitë të Komunës Mollas të rrethit të Elbasanit, në parcelat e mbjella me pemë frutore në pronësi të katër fermerëve të kësaj zone. Burime të policisë bënë të ditur dje se “zjarri, i cili ka rënë në parcelat e mbjella me pemë frutore në pronën e katër fermerëve banorë të fshatit Selitë, ka djegur pjesërisht një sipërfaqe prej 1.5 hektarë, që ishin të mbjella me ullinj, kumbulla dhe arra. Gjithashtu, flakët kanë djegur edhe 50 rrënjë pemë frutore. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar zjarrfikësja, e cila ka bërë të mundur lokalizimin e flakëve dhe shuarjen e zjarrit. Nga ana e policisë po punohet për zbulimin e shkaqeve të zjarrit.
Konkurrenca në tregun e cigareve, prangoset 35-vjeçari
DURRËS – Konkurrenca në tregtinë e cigares është bërë shkak që një 35-vjeçar të dhunojë rivalin e tij, gjë që ka sjellë edhe arrestimin e tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Agron Hasanbelliu, lindur dhe banues në lagjen Nr. 13 në qytetin bregdetar. Sipas tyre, “procedimi ndaj 35-vjeçarit Hasanbelliu filloi për arsye se dyshohet se ky shtetas më datë 21 korrik ka goditur me mjete të forta për motive të dobëta (konkurrencë në tregtimin e cigareve) shtetasin L.Xh., banues në Lushnjë. Zëdhënësja e policisë sqaron se 34-vjeçarit i janë shkaktuar dëmtime, të cilat në bazë të aktit mjeko-ligjor u klasifikuan në kategorinë e rrahjes. Materialet e para hetimore për veprat penale të “dëmtimeve të tjera me dashje” dhe “vjedhjes me dhunë” i janë përcjellë për hetime të mëtejshme prokurorisë
25 Korrik 2008