Remontet në linja, Tirana sërish 3 orë pa drita në ditë
Kryeqytetit i janë rikthyer kufizimet e energjisë elektrike. Janë të paktën 3 orë ndërprerje gjatë paradites, ku qytetarët duhet të vuajnë kufizimet e energjisë elektrike. Aktualisht, situata hidrike është në parametra optimale dhe drejtuesit e Koorporatës Elektroenergjetike ia kanë faturuar kufizimet remonteve të linjave në kryeqytet. Sipas të dhënave mësohet se kufizimet e energjisë për zona të ndryshme në Tiranë, variojnë nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 11:00 të paradites. Për disa zona të tjera, orari i kufizimeve fillon nga ora 10:00 dhe përfundon në 13:00. Burime nga KESH-i bëjnë të ditur se kjo ka ndodhur si pasojë e remonteve dhe jo sepse nuk ka energji për të furnizuar konsumatorët. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë verë KESH ka siguruar energji të mjaftueshme për furnizimin e konsumatorëve. Niveli i ujit në Fierzë është i kënaqshëm, ndërkohë që koorporata ka siguruar edhe importin e energjisë. Por, punimet në nënstacione dhe linjat e tensionit të lartë janë bërë shkak që ndërprerjet e energjisë të aplikohen sërish në disa zona të kryeqytetit. Për pasojë, energjia ka munguar dy deri në tri orë në ditë, ndërkohë që grupet e punës të Operatorit të Shpërndarjes kanë nisur ndërprerjen e furnizimit me energji për konsumatorët debitorë. Sipas specialistëve të OSSH-së, “remontet janë të domosdoshme, ndaj edhe shkaku i vetëm i kufizimeve që vazhdojnë prej disa javësh janë këto ndërhyrje që OSSH-ja po bën në rrjetin elektrik”. Nga ana tjetër mësohet se këto remonte do të vazhdojnë të paktën deri në muajin shtator, duke dhënë garanci që këto linja të përballojnë ngarkesat e mëdha gjatë stinës së dimrit.
25 Korrik 2008