E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët amerikanë akuza dhe për pagesat e Diverolit për MEICO-n



Habjon Hasani
Kontratat dhe pagesat që Efraim Diveroli i ka bërë ndërrmarjes MEICO kanë shërbyer si provë për prokurorët amerikanë për të ngritur akuzën e zhvatjes dhe transaksioneve të paligjshme mbi Diverolin. Tashmë me këtë shtim akuzash djaloshi që tronditi pentagonin, rrezikon deri në njëzetë vite burg. Gazeta ”Albania” botoi për herë të parë listën e faturave që Diveroli kishte bërë për MEICO-n duke nxjerrë publikisht rolin fantazëm dhe prej sekseri të firmës ”Evdin ltd”. Të dhënat e siguruara nga prokurorët amerikanë lidhur me faturat e pagesave ndërmjet firmës “AEY” dhe “MEICO”-s kanë zbuluar rolin inekzistent të firmës seksere ”Evdin ltd” në këtë marrëdhënie. Por këto të dhëna duket se kanë nxjerrë automatikisht në pah dhe fshehjen dhe grabitjen e më shumë se 8 milionë dollarëve nga kjo firmë. Që prej qershorit deri në dhjetor të vitit 2007 asnjë pagesë nuk është kryer nga firma ”Evdin ltd” në drejtim të “MEICO”-s, por kjo firmë, sikurse ka rezultuar në hetimet e Prokurorisë, ka rritur çmimin nga 22 USD/ 1 mijë fishekë në 40 dollarë/1 mijë fishekë. Por faturat e siguruara nga prokurorët amerikanë kanë zbuluar se pagesat janë bërë direkt nga llogaria e firmës “AEY” dhe firma “Evdin lid” nuk ka pasur kurrfarë aksesi në pagesat e bëra për çdo transportim dhe eksportim të municionit për në Afganistan.
Pagesa
Janë pikërisht mandat-pagesat fakti dhe prova që nuk mund të hedhin dot poshtë autoritetet shqiptare të Ministrisë së Mbrojtjes, pasi cilado të ketë qenë kontrata mes tyre dhe firmës ”Evdin ltd”, kompania “MEICO” nuk ka kryer asnjë transaksion me kompaninë ”Evdin ltd”, por direkt me Diverolin. Sipas kësaj Ministrie, kompania “AEY” dhe “Evdin ltd” kanë kërkuar nëpërmjet një shkrese drejtuar “MEICO”-s municione të kalibrave të vegjël me origjinë dhe vite të ndryshme prodhimi, shoqëruar me dokumentacionin ligjor përkatës. Pak ditë më parë zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes është shprehur se “kompania ‘Evdin ltd’ ka pasur autorizim nga kompania ‘AEY’, e cila nga ana e saj ishte e pajisur me certifikatën e përdoruesit të fundit (end-user certificate). Ndërmarrja ‘MEICO’ i ka ofruar kompanisë ‘Evdin ltd’ materialet e kërkuara duke i prezantuar ndër të tjera edhe vitin e prodhimit dhe origjinën kineze të tyre. Ky dokument mban datën 18.04.2007. Kontrata e lidhur midis ndërmarrjes ‘MEICO’ si shitës dhe kompanisë ‘Evdin ltd’ për ‘AEY inc’, më datë 18.05.2007 përmban vitin e prodhimit të municioneve. Në lejen e eksportit të nxjerrë nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes më datë 20.4.2007, janë specifikuar destinacioni, blerësi, tipat e municioneve që do të eksportoheshin, sasitë e tyre dhe vitet e prodhimit korresponduese”, - shprehet kjo ministri. Në këtë deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes duket se flitet për të gjitha funksionet e firmës ”Evdin”, duke lënë mënjanë vetëm statusin e saj financiar në këtë histori!
Aferra
Por ja që statusin financiar të kësaj firme, edhe pse nuk e dha Ministria, vendosën ta bëjnë prokurorët amerikanë. Gjithë zbardhja e skemës së vjedhjes nga ana e firmës “Evdin ltd” mund të evidentohet në kontratën që ish-ministri Mediu bëri publike dy ditë pasi ishte dorëhequr nga posti i tij. Sipas kësaj kontrate, “MEICO” do t’ia shiste fishekët (për çdo 1 mijë copë) me 22 dollarë firmës “Evdin”, ndërsa më vonë firmës “Evdin” i lindte e drejta (të drejtë që ia kishte njohur edhe firma “AEY”-ja) që t’ia shiste këto sasi të blera firmës “AEY” me një çmim më të lartë. Pra firma “Evdin” duhej t’i blinte te “MEICO” dhe t’i shiste te “AEY”. Po ku janë blerjet e firmës “Evdin”?! Këto blerje nuk figurojnë në faturat e siguruara nga prokurorët amerikanë, pasi të gjitha pagesat i ka bërë direkt firma “AEY”. Në këto kushte lind pyetja: pse i duhej një kontratë e tillë Ministrisë kur dollarët i paguheshin direkt nga firma “AEY”?! Përse kjo Ministri lidhi një kontratë me firmën ”Evdin ltd”, duke e ekspozuar këtë firmë si blerëse të saj, ndërkohë që sot rezulton se asnjë blerje nuk është bërë nga kjo firmë?! Po diferenca prej 18 dollarësh (për 1 mijë fishekë) si u sigurua nga kjo firmë në kushtet kur ajo nuk operonte në sistemin bankar me kompaninë “MEICO”?! Logjikisht e vetmja mundësi është se diferenca e fitimit ilegal të ”Evdin ltd” të jetë depozituar në llogari private të individëve dhe jo në subjektin privat të të licencuar ”Evdin ltd”.

“New York Times”: “EVDIN ngriti pazarin e kontratës”

”Paketuesi amerikan i përfshirë në këtë marrëveshje, Kosta Trebicka, tha se ai dyshonte se qëllimi i kompanisë "Evdin" ishte t’i transferonte paratë te zyrtarët shqiptarë.
Shitjet, sipas Trebickës, ishin mister: Shqipëria shiste municione tek "Evdin" 22 dollarë për 1000 fishekë, ndërsa "Evdin" ia shiste AEY-së së Diverolit për shumë më tepër. Diferenca, sipas Trebickës, ndahej me zyrtarët shqiptarë, me Pinarin, që ishte kreu i agjencisë së eksportit të armëve dhe me ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. (Mediu dha dorëheqjen javën e kaluar pas shpërthimeve të depove të municionit). "Tani Berisha, Pinari, Mediu i kanë mohuar akuzat". Por Trebicka thotë se pasi ngriti shqetësimin për "Evdin" dhe Ministrinë e Mbrojtjes, kompania u detyrua të përjashtohej nga kontrata. Më 11 qershor 2007 Trebicka dhe Diveroli bëjnë një bisedë telefonike për problemet e biznesit në Shqipëri. Trebicka e regjistroi këtë bisedë, që më vonë ua kaloi hetuesve shqiptarë. Biseda tregoi se kompania amerikane ishte në dijeni të korrupsionit në Shqipëri dhe se “Heinrich Thomei”, një kompani shitëse armësh zvicerane, qëndronte prapa "Evdin". Diveroli ka thënë se” Thomei, ose i quajtur Henri, vepronte si ndërmjetës në këtë biznes. Pinari ka nevojë, si edhe Henri, që në ndërmjetësim të jetë i kujdesshëm, që të ruajë lëkurën e tij, gjë që nuk është në biznesin tim”. Zoti Diveroli tha se "unë nuk dua të di asgjë rreth atij biznesi. Unë dua të di rreth legjitimitetit të bizneseve".

Pagesat, në lojë ishin 60 milionë dollarë

Prokurorët amerikanë kanë mundur të sigurojnë të gjitha mandat-pagesat që Efraim Diveroli i ka bërë ndërmarrjes “MEICO” që prej 23 korrikut deri më 6 dhjetor të vitit 2007. Një total prej rreth 10 milionë dollarësh të qarkulluar, ku natyrisht nuk kanë munguar edhe rastet kur ka pasur tre transaksione brenda një dite. Sipas prokurorëve amerikanë, të gjitha dërgesat e sipërpërmendura janë në thyerje dhe shkelje të ligjeve të tyre dhe përbëjnë një gur të rëndë prove për katër të pandehurit drejtues të “AEY”-së. Por çka është dhe më e rëndësishme në këto dërgesa vërtetohet njëherë e mirë se ka qenë pikërisht firma “AEY” ajo që ka pasur marrëdhënie të drejtpërdrejtë të pagimit të faturave me ndërmarrjen “MEICO” dhe me këto transaksione është e qartë se firma “EVDIN ltd” ka qenë thjesht seksere dhe gjobëvënëse në të gjithë këtë marrëdhënie. Nëse në ndërmarrjen “MEICO” rezultojnë të arkëtuara thjesht 10 milionë dollarë, tashmë është bërë e qartë se shteti amerikan i akordoi (deri para pezullimit në mars 2008) Diverolit një sasi prej rreth 60 milionë dollarësh për blerjen e armatimeve. Diferenca është e qartë dhe shkon afro 50 milionë dollarë. Por kjo diferencë tregon qartë se “pjesa e luanit” ka lëvizur mes Diverolit dhe firmës fantazmë “Evdin”, e cila ndryshe nga sa pretendon Ministria e Mbrojtjes, sot rezulton se nuk e ka paguar për asnjë moment këtë ministri, por i ka mbajtur të gjitha për vete.

25 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›