Buxheti shtesë i vitit 2008, Kuvendi e miraton me 72 vota pro
Mes debatesh të shumta dhe incidentesh të rënda është miratuar dje më në fund buxheti shtesë i vitit 2008. Me 72 votat pro, maxhoranca ka arritur që ta miratojë atë që opozita e ka cilësuar si “buxheti elektoral”, pasi investimet dhe përqëndrimi i fondeve të këtij buxheti ka kaluar vetëm për projektet dhe zonat elektorale. Seanca për buxhetin që ka vijuar dje gjatë gjithë ditës, ka qenë shumë e tensionuar dhe e ndezur me debate dhe replika të forta mes maxhorancës dhe opozitës. Buxheti me një vlerë mbi 20 miliardë lekë u miratua me 72 vota pro, 18 kundër dhe 3 abstenim. Në mesditën e djeshme Kuvendi nisi votimin nen për nen të projektligjit “Për buxhetin e shtetit të vitit 2008”, të ndryshuar, propozuar dhe miratuar nga Këshilli i Ministrave. Ashtu siç u lajmërua opozita u shpreh kundër projektbuxhetit për të cilin është deklaruar më shumë se një herë se “ai është thejsht një buxhet elektoral”. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij e mbrojti buxhetin në Kuvend dhe e cilësoi atë si “dëshminë më të qartë të shembjes së korrupsionit”. Sipas Berishës, “drafti që ne sjellim në parlament është dëshmia më e ndritur, më e shkëlqyer e shembjes së kolapsit përfundimtar të sistemit të kleptokracisë, që ishte instaluar në Shqipëri”. Buxheti prej 20 miliard lekësh parashikon që 10 miliardë lekë ti kalojë për Ministrinë e Transporteve dhe Punëve Publike për investime. Po kështu rreth 2 miliardë lekë do të shkojnë për pushtetin lokal dhe për shpronësimet. Ndërsa pjesa tjetër e buxhetit suplementar, plot 8 miliardë lekë janë parashikuar për uljen e deficitit buxhetor ose borxhit shtetëror.
25 Korrik 2008