Etja për ujin shkakton 4 të vdekur, i zuri korenti duke hapur pusin e ujit
BERAT – Përpjekja për të siguruar ujin e pijshëm është bërë shkas për një tragjedi. Katër persona kanë gjetur vdekjen teksa po hapnin në pus. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm në fshatin Hinkë, të komunës së Poshnjes, rreth 25 kilometra larg qytetit të Beratit. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se kanë vdekur aksidentalisht shtetasit Xhevair Rrebeshi, banor i fshatit Hinkë të rrethit të Beratit; Xhevahir Bahaj, banor i fshatit Delisulaj në rrethin e Lushnjës; Agron Pepa, 42-vjeç, banor i fshatit Fiershegan të rrethit të Lushnjës dhe Hekuran Hekurani, banor i fshatit Hallkaj në rrethin e Lushnjës. Sipas tyre, shkak i kësaj tragjedie ka qenë kontakti i një tubi metalik me linjën elektrike të tensionit të lartë, i cili ka shkaktuar përnjëherësh katër viktima.
Ngjarja
Xhevair Rrebeshi, banor i fshatit Hinkë në rrethin e Beratit nuk kishte ujë në shtëpinë e tij dhe ka planifikuar për të hapur një pus uji. Ai ka thirrur një brigadë të vogël prej 3 punëtorësh nga Lushnja, të cilët prej vitesh punonin me shpimet e puseve të ujit. Pasi kanë përgatitur mjetet e punës, të katër së bashku kanë ngritur një profil hekuri rreth 5 metër të lartë, për të piketuar vendin ku do hapej pusit. Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, në momentin e ngritjes së profilit të hekurit, ky i fundit ka takuar telat e tensionit të lartë, ( 6 000 KW). Të katër personat që po mbanin konstruksionin metalik janë goditur nga rryma elektrike, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Banorët e këtij fshati, pasi kanë dëgjuar britmat që vinin nga fusha, kanë shkuar menjëherë në ndihmë të bashkëfshatarëve të tyre, por i kanë gjetur të shtrirë për tokë dhe pa jetë. Më pas trupat e 4 viktimave: Xhevair Rrebeshit, 55-vjeç, banor i fshatit Hinkë të rrethit Berat; Xhevahir Bahajt, 42-vjeç, banor i fshatit Delisulaj, në rrethin e Lushnjës; Agron Pepës, 42-vjeç, banor i fshatit Fiershegan të rrethit të Lushnjës dhe Hekuran Hekuranit, 50-vjeç, banor i fshatit Hallkaj në rrethin e Lushnjës, janë dërguar për në morgun e spitalit të qytetit, ku i janë nënshtruar ekzaminimit mjeko-ligjor.
Hetimi
Në vendngjarje kanë mbërritur grupi i ekspertëve të policisë dhe punonjës të KESH-it,të cilët pas kqyrjes së vendit të ngjarjes po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes në fshatin Hinkë. Nënkryetari i komunës Poshnjë, z.Bektash Sula dhe kryeplaku i fshatit, Xhevdet Zeka janë shprehur se kjo është një ngjarje e dhimbshme, që ka shokuar 225 familjet e kësaj zone, të cilat prej vitesh vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Sipas tyre, kjo arsyeja që Xhevair Rrebeshi ka dashur të hapë një pus uji në tokën e tij, e cila ka shkaktuar vdekjen e tij dhe të tre personave të tjerë nga Lushnja. Prej disa vitesh, shumë fshatra në Qarkun e Beratit vuajnë mungesën e ujit. Madje, disa javë më parë banorët kanë protestuar. Një qytetet e Poliçanit dhe Kuçovës janë helmuar me dhjetëra persona si pasojë e ndotjes së ujit të pijshëm
VIKTIMAT
Xhevair Rrebeshi, 55-vjeç, banor i fshatit Hinkë - Berat
Xhevahir Bahaj, 42-vjeç, banor i fshatit Delisulaj - Lushnjë
Agron Pepa,42-vjeç, banor i fshatit Fiershegan - Lushnjë
Hekuran Hekurani, 50-vjeç, banor i fshatit Hallkaj - Lushnjë
25 Korrik 2008