E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbretëria zgjedh poeten lezbike

"Kjo është një ditë historike për gratë dhe për poetët në Britani. Jam shumë e lumtur dhe besoj se ky vlerësim do të njohë ndryshimin që gratë i kanë bërë botës së poezisë këto 40 vitet e fundit". Kanë qenë fjalët e para që poetja Carol Ann Duffy ka thënë në ceremoninë e prezantimit të saj si "Poetja Zyrtare e Britanisë së Madhe". Ka qenë vetë Mbretëresha Elisabeta II që e ka përzgjedhur për të zëvendësuar Andrew Motion, i cili e mbante këtë post prej 1999-ës. Lajmi ka bërë xhiron e botës, ndërsa Duffy së gjalli e ka shënuar emrin në histori. Pesëdhjetë e tre vjeçare, një lezbike e deklaruar, pas 341 vjetësh është e para poete që zgjidhet në këtë pozicion në Mbretërinë e Bashkuar. Kryeministri Gordon Brown ka theksuar në fjalën e tij se i ka takuar shekullit XXI që të shihte një grua të thurte vargje për ceremonitë e shënuara të mbretërisë. "Ndjej një përzierje të përulësisë dhe ngazëllimit në të qenit poetja e re zyrtare. Përulësia vjen sepse unë jam e ndërgjegjshme për talentin e kolegëve të mi, ndërsa ngazëllimi vjen nga përzgjedhja si e para grua në këtë pozicion". E njohur për poezitë e saj, herë-herë edhe provokative, Duffy fillimisht ka ngurruar ta pranojë këtë pozicion. Ia ka lënë në dorë vajzës së saj 13-vjeçare, Ella. E entuziazmuar i ka thënë: "Po mami, nuk ka qenë asnjëherë më parë një grua". Në fakt është jo vetëm e para grua, por edhe i pari rast kur përkatësia seksuale është "përulur" para forcës së poezisë. Emri i Carol ishte lakuar si kandidate e mundshme edhe në vitin 1999. Gazetat e kohës përfolën atëkohë frikën e Kryeministrit Tony Blair se si mund të pritej nga publiku i gjerë prirja e saj seksuale. Poeti zyrtar u përzgjodh Andrew Motion, ndërsa Duff deklaroi 10 vjet më parë se "nuk do ta pranoja. Nuk do të shkruaj vjersha për Edward dhe Sophie. Asnjë poet që respekton veten nuk do ta bënte". Por tashmë qëndrimi duket se ka ndryshuar. Në konferencën e saj të parë, poetja nuk ka harruar të flasë për seksualitetin. "Seksualiteti është diçka e pranuar tashmë dhe është e mrekullueshme që unë jam një shkrimtare homoseksuale e deklaruar. Çdokush që ndodhet këtu, që dëgjon intervistën dhe ndjehet i turpëruar apo i bezdisur nga seksualiteti i tij, duhet të festojë, të ketë vetëbesim dhe të jetë i lumtur". Përzgjedhja e Poetit Zyrtar është një traditë e nisur nga Mbreti Charles II në vitin 1668. Duffy, ashtu si gjithë paraardhësit e saj, duhet të krijojë poezi për ceremoni të caktuara mbretërore, si dasmat, funeralet, festën e Vitit të Ri, apo për raste të rëndësishme shtetërore. Për këtë pozicion, poetja do të paguhet 5700 paunds (8500 dollarë) dhe në respekt të traditës i është dorëzuar edhe një fuçi me "Sheri", e barabartë me 600 shishe. "Nuk e konsideroj si punë. Jam në gjendje të heq dorë nga çdo përfitim financiar dhe t‘ia dorëzoj paratë Shoqërisë Poetike për të organizuar një çmim të ri për poezinë. Unë do të vazhdoj të lexoj dhe të shkruaj poezitë e mia si gjithmonë", është shprehur poetja skoceze. "Poezia është përmbajtja e njerëzve të këtij vendi; poezia është një vend ku mund të shkojmë për ngushëllim, për festë, kur kemi rënë në dashuri, kur jemi në zi dhe ndonjëherë edhe për ngjarje që na ndodhin si komb. Poezia lind nga imagjinata, nga kujtimet, nga eksperiencat, nga ngjarje si personale, ashtu edhe publike. Do të ndjek ndershmërisht këtë linjë dhe do të shkruaj gjithçka që nevojitet të shkruhet", ka vazhduar poetja në ditët kur figura e saj është më publike se më parë. Por ajo i kundërvihet kësaj ideje, duke theksuar se "unë jam një person i tërhequr, do të vazhdoj ta mbroj privatësinë dhe vajzën time". Carol Ann Duffy ka lindur në Glasgow. Ishte më e madhja mes fëmijëve e u rrit mes katër vëllezërve. E rritur si një katolike romake, ajo u edukua në "Saint Austin Roman Catholic Primary School", "St. Joseph‘s Convent School" dhe "Stafford Girls‘ High School", kohë gjatë së cilës fillon të shfaqet talenti i saj për letërsinë. Që e vogël ka qenë e pasionuar për leximin e poezive dhe ka dëshiruar gjithmonë të bëhej një shkrimtare. Sot, veprat e saj janë të suksesshme dhe pjesë e programeve shkollore.

Disa nga veprat e saj më të njohura janë "Standing Female Nude", "Rapture", "Feminine Gospels". Në vitin 2005 fiton çmimin prestigjioz, "T.S. Eliot" dhe ka marrë një sërë vlerësimesh të tjera. Duffy u ka kushtuar një pjesë të mirë të talentit të saj edhe fëmijëve. ol.li.

Titulli: "Valsi i lumturisë"

Autori: Milan Kundera

Përktheu: Nasi Lera

Botoi: "Onufri"

Çmimi: 800 lekë

Ky roman lidh përsëri si pak vepra bashkëkohore atë që autori e quan "gjysmëkoha e parë e historisë së romanit". Në një qytet ujërash termale, me një bukuri të vjetruar, tetë personazhe shtrëngohen fort me njëri-tjetrin sipas ritmit të valsit që sa vjen e përshpejtohet.

Titulli: "Nga Teherani në Uashington"

Autori: Naim Zoto

Botoi: "Naimi"

Çmimi: 700 lekë

"Nga Teherani në Uashington" përmban shënime udhëtimi dhe reportazhe të zgjedhura. Ai sjell te lexuesi pikërisht atë çka i mungonte gazetarisë së sotme shqiptare: raportimin jetësor me të dhënat e vëzhgimit vetjak; detajin që e bën publicistikën portë të letërsisë; vëzhgimin që i jep realitetit vërtetësi të brendshme dhe mbi të gjitha përveçmin e fateve njerëzore që tashmë janë bërë një rrallësi në botën e letrave në përgjithësi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›