E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr fund aventura e Junës

Një tjetër mbrëmje emocionuese ka kaluar në spektaklin e madh të "Big Brother". Si përherë, surprizat nuk kanë munguar. Tashmë jemi shumë pranë finales së këtij "reality show" dhe drejt fitores do të shkojnë të përzgjedhurit e publikut. Edhe spektaklin e mbrëmshëm, banorët, por edhe spektatorët, janë përballur me një tjetër eliminim të dyfishtë, të papritur. Nga paneli i të eliminuarve në studio, Arjoni ka deklaruar se për të java e parë jashtë shtëpisë së "Big Brother" ka qenë një "rilindje". "Dalja nga shtëpia ka qenë një nga momentet më të bukura të jetës sime. Më kanë pritur me shumë ngrohtësi", ka thënë ai. Ndërsa për të eliminuarin tjetër, Eltonin, kjo javë ka qenë e papritur. "Gjeta shumë mirëpritje jashtë", u shpreh ai. Pas kësaj, Arbana lexon një nga mesazhet e lojës "Fjalët që nuk t‘i thashë kurrë". Ajo ka zgjedhur mesazhin e Bjordit, ku ka shkruar: "Mami, atëherë që të thashë se kisha ikur në Verona, të kam gënjyer. Ika në Paris, më fal".

Adelajda, takim me Vandam Sulën

"Big Brother" për disa prej banorëve ka qenë një drejtim ose një udhë që do të donin ta ndiqnin. E njëjta gjë vlen edhe për Adelajdën. Ajo ka hyrë në shtëpinë e "Big Brother" pasi u nda me të fejuarin. Ka hyrë me frikën se mund t‘i zhgënjente ata që njihte, por edhe me krenarinë e një vajze që dëshiron t‘i japë vetes një mundësi, atë të të paraqiturit të vetes ashtu siç është. Forcë e saj ka qenë edhe kokëfortësia. Prania e Bjordit ka lënë sigurisht shenjë në këtë aventurë të Adelës në "Big Brother". Lidhja e tyre konsiston në dhembshuri, afeksion e bashkëpunim. Por në ndryshim nga Bjordi, Adela ka përjetuar më shumë momente të vështira, frikë, zhgënjim dhe momente në të cilat edhe është përlotur... Edhe brenda shtëpisë, paragjykimet e të tjerëve e kanë kushtëzuar në shumë sjellje. Për këtë, Vëllai i Madh i ka dhënë mundësi të përballet me to, sigurisht që simbolikisht, duke e konsideruar atë një shfaqje inteligjence. Adela u takua dje me një personazh të njohur nga të gjithë... Arbana i ka ftuar banorët të shkojnë në dhomën aziatike. Ata nuk mund të dalin prej aty, munden vetëm të shikojnë në monitor. Hyn në shtëpi njëri prej aktorëve të spektaklit të humorit, "Portokalli", Vandam Sula (Elvis Pupa). Arbana fton Adelën të shkojë në sallon e të flasë me të. Në një bisedë me humor, por edhe ironi, personazhi Vandam i ka thënë Adelës së nuk duhet të shqetësohet për atë që mendojnë jashtë.

Adi feston ditëlindjen e nënës

Nata e mbrëmshme ishte një ditë e veçantë për njërin prej konkurrentëve të "Big Brother". Mamaja e Adit festonte ditëlindjen. Ai ka folur shpesh për të ëmën në dhomën e rrëfimit, ndaj edhe Vëllai i Madh vendosi të tregojë marrëdhënien e tyre për publikun, por edhe duke i bërë një surprizë Adit. Arbana i fton konkurrentët të shkojnë në oborr, ku duhet të ndjekin projektorin. Në një klip shfaqet Adi në dhomën e rrëfimit, si dhe nëna e tij. Gëzimit të Adit i janë bashkuar edhe banorët e tjerë, të cilët kanë ngritur një dolli urimi për zonjën Naile. Ndërkaq, ajo i tregon Adit se në këtë ditë të veçantë, i ka dërguar një dhuratë. Ai duhet ta gjejë atë duke ndjekur topin e akrilikut që gjendet në oborr, për të kuptuar se ku do ta çojë. Adi mbërrin në dhomën aziatike, ku takon mamanë e tij. Vëllai i Madh ka menduar një dhuratë për të. Janë fotot e Adit në shtëpinë e "Big Brother" me disa dedikime të tij: "Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të çuditshme me nënën, do të doja qoftë për një çast ta bëja të lumtur". Pas përlotjes, Adi i ka kërkuar falje publike për të gjitha shqetësimet dhe i ka premtuar se shumë shpejt do ta shohë edhe dhëndër, një dëshirë e madhe e saj.

Një surprizë për Qetsorin

Qetsori është një personazh që gjatë javëve të qëndrimit brenda shtëpisë, ka fituar simpatinë e publikut. Ai asnjëherë nuk i ka fshehur strategjitë, por edhe ambicien për të fituar, ashtu siç ka treguar edhe një fakt personal. Në të vërtetë, objektivi i Qetsorit kur hyri në shtëpi ishte shumë më i madh se kaq. Ai dëshironte të bënte krenar të atin, i cili fatkeqësisht nuk jeton më. Për Sorin, ai ishte një pikë referimi, e në këtë lidhje at e bir, Sori në të njëjtën kohë dëshiron të shndërrohet në një hero për djalin e tij të vogël, me të cilin ka një marrëdhënie mjaft të veçantë. Në një klip që i kushtohej djalit nga Dukati i Vlorës, mes frazave nga ditari i tij është shfaqur edhe djali i Sorit.

Eliminimi i dyfishtë

Veç surprizave, Vëllai i Madh i ka bërë banorët të përjetojnë edhe emocione pritjeje. Arbana u komunikon banorëve se për këtë javë, "Big Brother" ka vendosur edhe një herë tjetër eliminim të dyfishtë. E kësaj here ishin vetë banorët e shtëpisë ata që zgjodhën banorin të cilin donin ta eliminonin nëpërmjet një votimi sekret. Në një fletëpalosje ata kanë shkruar emrin e të përzgjedhurit të tyre. Ai që ka më shumë vota, është banori që duhet të largohet. Por në këtë largim të dytë, Vëllai i Madh ka menduar që të jetë publiku ai që do të vendosë përfundimisht nëse banori i përzgjedhur do të largohet ose jo prej shtëpisë. Banori i përzgjedhur ka fituar imunitet e pas kësaj fitoreje ai shkon automatikisht në gjysmëfinale.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›