E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen nga protestat punimet për autostradën Levan-Tepelenë



FIER - Rreth 1 mijë familje që preken nga punimet e autostradës Levan-Tepelenë kanë mbi 2 vjet që kërkojnë dëmshpërblimin për tokat e zëna. Megjithë kërkesat e herëpashershme të banorëve të fshatrave Adë dhe Sheq Musalalaj të komunës Frakull, deri tani askush nuk e ka dëgjuar zërin e tyre duke bërë që asnjë dokument që vërteton pronësinë mbi tokën, të mos u vlejë. Disa herë banorët janë munduar të krijojnë forma të ndryshme kërkesash deri tek protestat, por edhe këto të fundit janë sfumuar teksa askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka reaguar. Banorët kanë vendosur të vijojnë protestat si dhe bllokimin e rrugës, ndërsa do të jenë në pritje të një zgjidhjeje konkrete. "Na kanë sorollatur aq sa vetëm ne e dimë. Nuk dimë ku të drejtohemi. Që prej kohësh kur nisën nuk na kanë dhënë asnjë lekë. Duam të marrim dëmshpërblimin me qëllim që të blejmë tokë tjetër ose të marrim tokë me qira. Tek e fundit kjo nuk ka qenë zgjedhja jonë, por e projektuesve të punimeve të autostradës", ka deklaruar Musa Musalalaj. Banorët edhe ditën e djeshme kanë bllokuar punimet në ndërtimin e superstradës. Ata kanë penguar kamionët dhe mjetet që punonin për rrugën. "Kemi certifikatat e pronësisë, por asnjëri nuk na i përfill. Komuna, prefektura dhe vetë shteti duhet të gjejnë rrugë të përbashkëta për të na dhënë lekët. Nuk kemi marrë asnjë shpronësim dhe nuk e dimë se sa na takon. Vetëm mua si familje më ka dëmtuar gjurma e autostradës rreth 2 dynym tokë", thotë Hetem Luftiu, një tjetër banor i zonës. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›