E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO, letër Qeverisë për SHISH



ADI SHKEMBI

NATO i ka dërgon një letër Qeverisë shqiptare, ku i bën thirrje që të mos miratojë në Parlament ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror, pa u konsultuar më parë me ekspertët ndërkombëtarë. Zyra përgjegjëse e NATO-s për koordinimin global të sigurisë, i ashtuquajturi "NOS" i kërkon Tiranës zyrtare që drafti, i cili është në zyrat e Kuvendit, të kalojë më parë pikërisht nga NOS-i, e cila përbëhet nga tre degë: orientimet e përgjithshme, inteligjenca për sigurinë dhe siguria e mbrojtjes. Në fund të javës së kaluar ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uidhërs që kërkoi që ligji të kalojë më parë nga ekspertët ndërkombëtarë përpara se t'i nënshtrohet votimit në Kuvend. Ndërkohë mësohet se edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë është në dijeni që zyra përgjegjëse e NATO-s për koordinim global të sigurisë i ka çuar një letër Qeverisë shqiptare. I pyetur nga gazeta për një letër të NOS drejtuar qeverisë shqiptare ku i kërkon bllokimin e ligjit të SHISH, zëdhënësi i ambasadës së SHBA në Tiranë u shpreh: "Ne kemi dijeni për letrën dhe përmbajtjen e saj, çka nënvizon natyrën serioze të çështjes". Roli i NOS, zyrës përgjegjëse të NATO-s për politikat e sigurisë është që në përputhje me politikat e Aleancës, autoritetet kombëtare dhe të NATO-s inkurajohen të zhvillojnë, të bien dakord dhe të venë në zbatim koncepte, doktrina, procedura dhe skema, të cilat i mundësojnë ato që të arrijnë dhe të ruajnë ndërveprimin. Kjo kërkon vendosjen e niveleve të nevojshme të pajtueshmërisë, ndërshkëmbimeve ose përbashkësisë në fushat operacionale, procedurale, materiale, teknike dhe administrative.
Reagime
Ndërsa pak javë më parë edhe Komisioni Evropian ka shprehur shqetësimin e tij për ndryshimet e propozuara nga Ekzekutivi. Në një prononcim për mediat, ambasadori i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan theksoi se gjatë përgatitjes së opinionit për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Brukseli zyrtar do të shohë me kujdes edhe çështjet e kompetencave të institucioneve të pavarura. "Në procesin e përgatitjes së opinionit për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe vlerësimit të kritereve politike, Komisioni Evropian merr në analizë edhe çështje të tilla, si për shembull kompetencat e Shërbimit Informativ në një shoqëri demokratike, llogaridhënien dhe kontrollin e tij", theksoi Lohan. Ndërkohë që vetë Uashingtoni ka shprehur edhe rreth një muaj më parë shqetësimin e tij lidhur me draftin që kishte përgatitur qeveria. Ambasada amerikane i kërkoi Tiranës zyrtare që të bëjë kujdes në miratimin e ndryshimeve në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror.

Uidhërs
Ambasadori i SHBA-së, Xhon Uidhërs u shpreh publikisht kundër miratimit të ligjit të SHISH, në Parlament. "Dëshiroj të ndaj me ju këtë pasdite pikëpamjet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara lidhur me projektligjin e ri, mbi Shërbimin Informativ, që është tani në Parlament. është me rëndësi jetike që Shërbimi Informativ i Shqipërisë të mbetet profesional, i pavarur dhe i lirë nga të gjitha ndërhyrjet politike. Jemi të shqetësuar që projektligji i minon këto parime. Si rrjedhojë, ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit, Shërbimit Informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese. Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj ndërkombëtar. Ne druhemi se ky projektligj, në formën e tij aktuale, po e dëmton këtë imazh", deklaroi Uidhers.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›