E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas 10 vitesh, i pari studim demografik shëndetësor



zirina llambro

Për herë të parë pas 10 vitesh një studim demografik shëndetësor i të tilla përmasave. Statistika të sakta për tregues mjaft të rëndësishëm në popullatë. Shifra zyrtare të përmbledhura në një botim voluminoz për lindshmërinë, shëndetin e nënës dhe të fëmijës, infeksionet HIV, gjendjen e ushqyerjes, migrimin dhe fuqizimin e grave. Në të janë identifikuar edhe fushat ku duhet ndërhyrë për përmirësim. Sipas studimit pabarazitë në shëndet, gjendja e të ushqyerit, qasja në shërbimet shëndetësore dhe niveli i njohurive për metodat e planifikimit familjar, HIV/AIDS-it dhe sëmundjeve seksualisht të trasmetueshme kanë nevojë për më shumë vëmendje. Të dhënat e studimit u prezantuan dje në një konferencë të posaçme me të gjithë aktorët. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili e cilësoi atë si një fotografim objektiv të realitetit. "Studime të këtyre përmasave, bazuar në popullatë janë një ndërmarrje e madhe dhe ofrojnë informacion për tregues të rëndësishëm të zhvillimit në vend", tha ministri. Studimi i madh demografik na lejon të kënaqemi për arritjet në disa tregues siç janë ulja e vdekshmërisë amtare dhe foshnjore por nga ana tjetër, disa të dhëna të raportuara në studim siç është ushqyerja na vë në pozita pune për të rritur kujdesin ndaj kequshqyerjes së fëmijëve", - u shpreh ministri Vasili. Ministri theksoi se përveç kësaj, të dhënat e studimit të madh demografik mbi sëmundshmërinë në popullatë do të ndihmojnë shëndetësinë si referencë për kryerjen e studimeve të tjera në të ardhmen dhe për të krahasuar punën për përmirësimin e situatës shëndetësore në vend. Përmbledhja voluminoze e punës së kryer nga specialistët e Institutit të Statistikës dhe atij Publik jep statistika mjaft me vlerë për një sërë trendesh në vendin tonë. Sipas të dhënave të marra, lindshmëria në vend është ulur. Po kështu, në 5 vitet e fundit dhe vdekshmëria foshnjore e ajo amtare kanë pësuar ulje të ndjeshme. Megjithëse ka një rënie të përdorimit të metodave tradicionale kontraceptive, ato mbeten më të preferuarat nga çiftet, sidomos të martuara. Ndërkohë që gjendja e ushqyerjes te fëmijët vazhdon të mbetet një shqetësim për shëndetin publik. Rreth 55% e popullsisë, nga sa thuhet në studim, jeton në zonat rurale. Për sa i përket edukimit, 47% e femrave dhe 37% e meshkujve kanë përfunduar arsimimin bazë ndërsa përkatësisht 24% femrave dhe 30% e meshkujve kanë mbyllur tashmë arsimin e mesëm. Prej të dhënave rezulton se 12% e meshkujve dhe 13% e femrave janë me shkollë të lartë. Në rang popullsie, 95% e saj ka kryer arsimin bazë, ndërsa 56% atë të mesëm. Nga sa pohuan specialistët, studimet demografike dhe shëndetësore (DHS) janë një përpjekje në nivel global për mbledhjen e të dhënave. Studimi i realizuar për vitin 2008-09 mbështetet në të dhënat e mbledhura nga një kampion familjesh, përfaqësues i të gjithë popullatës. Për një periudhë 6 mujore janë intervistuar 8994 familje, 7584 femra dhe 3013 meshkuj të moshës 14-49 vjeç. Studimi ofron një bazë të mirë të të dhënave dhe vlerësimeve statistikore të treguesve socialë, të cilët do të përdoren nga politikëbërësit, kërkuesit, organizatat joqeveritare dhe akademikët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›