“Delijorgji në Gërdec, që me tanket”
Armand Bajrami
Mihal Delijorgji ka marrë skrap në ish repartin ushtarak të Gërdecit, ku u ngrit fabrika e demontimit të municioneve në vitin 2007, që në kohën e shitjes së tankeve të nxjerra nga përdorimi i ushtrisë. Edhe këtë herë "misioni" i biznesmenit të hekurit, kishte qenë furnizimi me "metal ushtarak". Ky fakt u bë i ditur nga dëshmitari Agron Brako, në seancën e djeshme në ngarkim të 29 të pandehurve të dosjes "Gërdeci" në Gjykatën e Tiranës. Sipas dëshmitarit, fytyrën e personit që në fund të muajit prill të vitit 2007 kishte nisur punimet në ambientet e Repartit e kishte parë po aty edhe 2 vjet më parë. Dëshmitarët e tjerë Hasim Selmani, ish komandanti i batalionit të Raketave në Maminas dhe Paulin Lleshaj, ish nënoficer treguan dje se si ishin përballur me Mihal Delijorgjin, aktualisht i pandehur, ditën e 28 prillit 2007. Këtë ditë nisi ndërtimi i fabrikës, shpërthim i së cilës rreth një vit më vonë shkaktoi 26 të vdekur, më shumë se 300 të plagosur dhe shumë dëme materiale.
DESHMITE
Vetëm pak orë para se të mbusheshin plot dy vjet nga shpërthimi tragjik i Gërdecit, Gjykata e Tiranës nisi dje seancën e radhës në ngarkim të të akuzuarve si shkaktarë të kësaj tragjedie. Dëshmitari Agron Brako tregoi se Mihal Delijorgji ishte shfaqur në Gërdec që në vitin 2005. "Mihal Delijorgji ka qenë tek ish reparti ushtarak i Gërdecit dy vjet para se të nisnin punimet për ngritjen e fabrikës. Në atë kohë aty qe grumbulluar artileria e disa reparteve ushtarake. Delijorgji e priste metalin dhe e merrte", tha dëshmitari. Në funksionin e nënoficerit që shërbente për ruajtjen e objekteve të ish-repartit dëshmitari kishte penguar Delijorgjin në 2007 të punonte, derisa mori urdhër nga eprori i tij. Dëshmitari Hasim Selmani tha dje se një të shtunë në ditët e fundit të prillit 2007 ishte njoftuar nga vartësi i tij Paulin Lleshaj për dy persona që po nisnin punime në ambientet e ish-repartin e Gërdecit. "Për 25 minuta shkova në repart. Gjeta aty dy persona. Më thanë që kishin marrë urdhër për të bërë disa piketime për të ndërtuar një hangar. Iu ndërpreva punimet. Për situatën njoftova eprorin tim Mehmet Metko. Pas rreth 40 minutash eprori më kontaktoi dhe më tha t'i lejoja deri ditën e hënë, pasi këtë ditë do të më vinte një urdhër me shkrim", tha dëshmitari. Të nesërmen e kësaj dite Delijorgji kishte qenë sërish në fabrikë. "Delijorgji më tha që kishte marrë 200 metër katrorë me qera, me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes për të ngritur një objekt", u shpreh më tej dëshmitari. I pyetur nga prokurorët Selmani tha dje se nuk i kishte shkuar asnjë urdhër me shkrim për kontratë dhënie qiraje, leje ndërtimi, apo leje punimesh. Dëshmitari tjetër Paulin Lleshaj, ish nënoficer që shërbente në ruajtjen e ish-repartit, pohoi dje se kishte shënuar në librin e shërbimit të gjitha "lëvizjet" e Delijorgjit në repart. "Për datën 28 shkurt 2007 në librin e shërbimit shkrova që erdhi Mihal Delijogji dhe një person tjetër. Shkrova dhe që komandanti im Hasim Selmani më dha urdhër të lejoja punimet" tha dëshmitari. I përballur në sallën e gjyqit me procesverbalin e mbajtur prej tij në 28 prill 2007, ku ndër të tjera përmendej dhe emri i gjeneralit Shpëtim Spahiu, dëshmitari tha se "për shënimet në procesverbal i ishte referuar fjalëve të eprorit të tij".
Të dy dëshmitarët, Brako dhe Lleshaj u shprehën se ndonëse ishin nën petkun e ushtarakut, ata kontrolloheshin nga roja private e fabrikës së demontimit. "Ambientet e fabrikës së demontimit të municioneve dhe objekteve të ish-repartit ushtarak të Gërdecit kishin të njëjtën portë. Në fillimet e punës në fabrikë nuk kontrollohesha. Më vonë roja private i fabrikës na kontrollonte mos kishim mjete ndezëse me vete", pohuan dëshmitarët.
PS: Politikanët e Gërdecit vazhdojnë karrierën
Deputetët socialistë në dy vjetorin e tragjedisë së Gërdecit akuzuan qeveritarët si përgjegjës të saj. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deputetë të Tiranës dhe Durrësit, si dhe përfaqësues të tjerë socialistë vizituan dje rreth orës 11:00 kraterin e Gërdecit në kujtim të 2 vjetorit të saj. Përfaqësuesit e lartë socialistë vendosën kurora me lule dhe kryen homazhe afër kraterit në kujtim të 26 jetëve të humbura në këtë tragjedi që nuk kurseu as fëmijë e gra. Në fjalën e mbajtur për mediat, deputeti Namik Dokle, në emër të Partisë Socialiste ka akuzuar Qeverinë, duke u shprehur se krateri i Gërdecit është krateri i dhimbjes për jetën e njerëzve, është krateri i akuzës për ata që ngritën fabrikën e vdekjes. "është një akuzë për ata politikanë që e sajuan dhe vazhdojnë karrierën politike, pa iu hyrë gjemb në këmbë" tha Dokle. Sipas tij, në këtë tragjedi u shuan ëndrrat shumë banorëve të Gërdecit. "është krateri i dhimbjes, sepse aty u prenë ëndrrat e fëmijëve për një jetë më të mirë. Aty u prenë shpresat e nënave për jetën e fëmijëve të tyre. Aty u prenë projektet e baballarëve për jetën e familjeve të tyre. Kjo dhimbje nuk mund të harrohet as nga ne dhe as nga të gjithë shqiptarët. Dje ishte Dita e Verës, festë për Shqipërinë dhe për gjithë njerëzit, dhe është tepër e dhimbshme që të gjithë pastaj të kujtojmë 26 të vrarë nga korrupsioni qeveritar, nga makutëria e qeveritarëve. Për këtë arsye ai krater, siç është krateri i dhimbjes për jetët e njerëzve, është edhe krateri i akuzës për ata që e ngritën fabrikën e vdekjes këtu, për ata që sajuan këtë masakër duke dashur të fitojnë mbi kurrizin e Shqipërisë dhe mbi të gjitha duke fituar edhe me jetët e njerëzve", u shpreh Dokle. Deputetët socialistë të pranishëm dje në homazhet e dy vjetorit të tragjedisë së Gërdecit u shprehën se do të kërkojnë vazhdimisht zbardhjen e të vërtetës. "Ne u japim fjalën familjarëve që asnjëherë nuk do të ndalojmë së kërkuari të drejtën për këtë tragjedi të madhe që ka ndodhur këtu në Gërdec, që ishte një dhimbje e madhe për të gjithë shqiptarët", u shpreh Dokle. Ndërsa deputetja Valentina Leskaj bëri fjalë për drejtësi të vonuar për zbardhjen e përgjegjësve të tragjedisë së Gërdecit. "Drejtësia duhej të vihej në vend", u shpreh Leskaj. Në 15 mars 2008, në fabrikën e demontimit të municionit ushtarak në Gërdec, vetëm pak kilometra nga Tirana, ndodhi një shpërthim i fuqishëm, si pasojë humbën jetën 26 punëtorë dhe banorë të këtij fshati, 300 të tjerë u plagosën, ndërsa me qindra shtëpi u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë.