E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen operacionet e zemrës, pacientët drejt vdekjes

 

Kirurgët e Kardio-Kirurgjisë japin alarmin për situatën tragjike. Mund të shpëtojmë edhe 4 pacientë pasi mungon Protamina

Skandal në QSUT

Pacientët që kanë nevojë për të realizuar ndërhyrje kirurgjikale në zemër rrezikojnë të humbasin jetën. Shkak për këtë është bërë bllokimi i operacioneve prej 1 jave në shërbimin e Kardio-Kirurgjisë, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", i vetmi shërbim publik që ofron këto operacione në gjithë vendin. Alarmin e këtij skandali të radhës në shëndetësinë tonë e japin për gazetën "Shekulli" vetë kirurgët e këtij shërbimi, të cilët theksojnë se shkak i këtij bllokimi është bërë mungesa e medikamentit Protaminë, e cila është e domosdoshme për operacionet. "Pacientët që kanë operacione në zemër, të planifikuara, i kthejmë çdo ditë në shtëpi. Mund të përballojmë maksimumi edhe 4 urgjenca me rezervat e Protaminës që kemi. Situata është katastrofike, pasi po rrezikohet seriozisht jeta e pacientëve", pohojnë kirurgët, duke shtuar se këtë problem ia kanë bërë prezent drejtorisë para se situata të degradonte deri në këtë pikë. Ndërsa burime pranë drejtorisë së QSUT-së vazhdojnë të japin të njëjtat argumente për të justifikuar situatën dhe këtë e lidhin me mungesën e fondeve për medikamentet. "Na kanë ardhur ankesa në drejtori nga pacientët se përse nuk po realizojnë operacionet. Por problem vazhdon të mbetet mungesa e fondeve", pohojnë burime të QSUT-së. Ndërkohë, pacientëve nuk u ka mbetur gjë tjetër vetëm të luten që fati të mos i dënojë, që zemra e tyre të ketë nevojë për një operacion, në të kundërt pasojat do të jenë fatale për ta.

Operacionet

Jeta e pacientëve që kanë nevojë për një operacion në zemër është në mëshirë të fatit. I vetmi shërbim publik që i ofron këto operacione jo vetëm që nuk po ndihmon pacientët, por po i kthen ata në shtëpi me shpresën se zemra e tyre do të presë derisa të sigurohet medikamenti Protaminë. "Jemi në pozita tepër të vështira kur i kthejmë çdo ditë pacientët në shtëpi, pasi nuk mund t'u realizojmë operacionet. Kjo situatë i kalon kufijtë e tragjikes dhe nuk gjejmë dot fjalë si ta përshkruajmë", pohojnë kirurgët e shërbimit të Kardio-Kirurgjisë. Sipas tyre, Drejtoria e QSUT-së është bërë me dije para 2 muajsh me anë të një shkrese për mungesat e Protaminës në mënyrë që të merrte masa që situata të mos vinte deri në këtë pikë kritike, por drejtoria jo vetëm që nuk e ka zgjidhur këtë problem, por gjen justifikime për të cilat pacientët nuk kanë pse t'i vuajnë. "Për rreth 500 operacione kardiake në vit nevojiten plot 1500 pilula 10 ml Protemine. Nëse nuk merren masa për furnizimin, do të ndërpriten operacionet në zemër", bëhej e ditur në shkresën e shërbimit të Kardio-Kirurgjisë, drejtuar Drejtorisë së QSUT-së para 2 muajsh, problem ky që u deklarua edhe në gazetë. Por mesa duket, edhe pse alarmi është dhënë para 2 muajsh, ende nuk është marrë asnjë masë për këtë problem serioz. Kështu kirurgët theksojnë se momentalisht mund të përballohen vetëm 4 operacionet e fundit të cilat janë për rastet urgjente, ndërsa për ato të planifikuarat as nuk bëhet fjalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›