Ekspertiza: 17-vjeçarja është operuar në vendin e gabuar
Ekspertët mjeko-ligjor dyshojnë se gabimi në operacion dhe më pas pakujdesia e treguar nga viktima ka shkaktuar hemorragjinë
Dora e mjekut Xhevahir Hoxhallari ka gabuar vetëm disa milimetra dhe më pas gjithçka ka përfunduar tragjikisht për 17-vjeçaren Matilda Petriti. Të paktën ky është konkluzioni paraprak i nxjerrë nga ekspertët mjeko-ligjor, të cilët prej disa ditësh po punojnë për zbardhjen e ngjarjes tragjike të radhës nëpër spitalet shqiptare. E ndërsa kanë zbuluar gabimet në ndërhyrjen kirurgjikale të mjekut pogradecar, ekspertët ligjorë dyshojnë edhe për pakujdesi shëndetësore të treguar nga viktima pas operacionit të kryer në klinikën e tij private në qytetin e Pogradecit.
Ekspertiza
Ndërhyrja kirurgjikale në fytin e Matilda Petrit është bërë disa milimetra larg vendit të duhur, ku kryhet ndërhyrja për heqjen e bajameve të pacientëve kronikë që i nënshtrohen operacionit. Sipas burimeve nga grupi i ekspertëve, thuhet se vajza është operuar në vendin jo të duhur, çka i ka dëmtuar edhe venën kryesore të qarkullimit të gjakut.E ndërsa kanë konstatuar gabimin në ndërhyrje kirurgjikale të mjekut pogradecar, burime nga grupi i ekspertëve bëjnë me dije se ky gabim në bisturinë e mjekut kurrsesi nuk mund të ishte fatal për jetën e 17- vjeçares. Pakujdesiae treguar nga pacientja pas operacionit mund të ketë shkaktuar përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore dhe më pas hemorragjinë, prej së cilës ka gjetur vdekjen Matilda Petrit. Mjekët ekspertë dyshojnë se viktima mund të ketë acaruar plagën ose duke pirë lëngje të ngrohta, ose duke u kollitur forcërisht, dhe më pas gjithçka ka përfunduar tragjikisht. Por gjithsesi, zyrtarisht ende nuk ka asnjë përfundim nga ekspertiza mjeko-ligjore. Çdo qelizë dhe ind i viktimës i është nënshtruar ekzaminimeve laboratorike, nëpërmjet të cilave pritet të zbulohet arsyeja e shpërthimit të hemorragjisë 4 ditë pas operacionit. Këtë fakt e pohon edhe drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj. Sipas tij, çdo qelizë e trupit të viktimës i është nënshtruar proceseve të ekzaminimeve laboratorike, rezultatet e të cilave do të nxjerrin në pah përse viktima ka pësuar hemorragji dhe nëse gjithçka ka ardhur si rezultat i pakujdesisë së bluzave të bardha.E ndërsa Ymaj thotë se përfundimi i ekspertizës mjeko-ligjore të Madilta Petritit do të përfundojë brenda afateve që përcakton ligji, katër javë, shton se në këtë institucion nuk ka mbërritur asnjë dosje nga Prokuroria për ngjarjen që tronditi opinionin publik. "Për ngjarjen në fjalë nga prokuroria dyshohet se vdekja është shkaktuar nga një mjekim i pakujdesshëm, por deri më tani në institucionin që unë drejtoj nuk ka ardhur asnjë dosje për këtë akuzë",-thotë Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj.
Rreth një javë më parë Matilda Petriti gjen vdekjen si pasojë e hemorragjisë pas tre ndërhyrjeve kirurgjikale të kryera. Për shkak të problemeve të shpeshta me bajamet që kishte Matilda, prindërit e saj, më 7 prill i janë drejtuar një klinike private në Pogradec, pronë e mjekut Xhevahir Hoxhallari. Sipas prindërve të saj, mjeku Hoxhallari, i cili ka kryer edhe ndërhyrjen kirurgjikale kundrejt një pagese prej 11 mijë lekësh, 2 orë pas operacionit ka rekomanduar dërgimin e saj në shtëpi, pasi ajo nuk ka pasur më probleme. Në fakt, nuk ka ndodhur kështu, pasi 22 ditët në vijim për Matildën kanë qenë me hemorragji, ku i është nënshtruar edhe 2 operacioneve të tjera derisa ajo ndërroi jetë në spital. Prindërit e saj, akuzojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mjekun Hoxhallari, por edhe mjekët e QSUT-së, si përgjegjës të vdekjes së vajzës së tyre. Ndërkohë që deri më tani ekspertiza mjeko-ligjore ka nxjerrë në pah se hemorragjia ka shkaktuar vdekjen e 17 vjeçares Matilda Petritit.