E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnje, ish- polici tenton vetëvrasjen me thikë

 

Gruaja ka dëgjuar rënkimin dhe e ka gjetur teksa ngulte thikën në bark. 55- vjeçari dërgohet me urgjencë në spital

Petraq Pero ka punuar në SHISH dhe polici. Ende mister shkaqet që e shtynë drejt aktit ekstrem

LUSHNJE- Një ish- oficer policie dhe i Shërbimit Informativ ka tentuar dje vetëvrasjen me thikë në qytetin e Lushnjes. Petraq Pero, 55 vjeç, ka tentuar dje që t'i japë fund jetës së tij duke ngulur një thikë në bark. Për fat të mirë e shoqja ka dëgjuar rënkimin e tij dhe kur ka parë se çfarë po kryente, ka njoftuar menjëherë policinë dhe ambulancën. Pas ndërhyrjes së mjekëve, 55- vjeçari ka arritur që t'i shpëtojë vdekjes. Hetuesit pohuan se ende nuk dihen shkaqet që kanë shtyrë 55-vjeçarin drejt aktit ekstrem.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12.00 të ditës së djeshme brenda në mjediset e shtëpisë së Petraq Peros. Në atë moment ai ndodhej në shtëpi së bashku me bashkëshorten por jo në të njëjtën dhomë. Teksa gruaja ndodhet në dhomën tjetër ka dëgjuar rënkimin e të shoqit dhe menjëherë ka shkuar të shohë se çfarë ndodhte. Kur ka hyrë në dhomë ajo është tmerruar teksa ka parë të shoqin që kishte vendosur një thikë në bark e po e shtynte me forcë në drejtim të trupit. Menjëherë ajo ka lajmëruar fqinjët dhe të gjithë së bashku kanë organizuar punën për ta nisur të vetëplagosurin drejt spitalit të qytetit. Në të njëjtën kohë janë njoftuar edhe mjekët e policia lokale, e cila ka mundësuar shkuarjen e shpejtë të të plagosurit në spital. Një grup hetuesish të policisë kanë shkuar në shtëpinë ku ndodhi ngjarja dhe kanë administruar në cilësinë e provës materiale thikën. Ndërkohë janë marrë dëshmitë e para nga grupi hetimor për të mësuar rreth aktit të 55-vjeçarit.

Sapo i lënduari është dërguar në spital, mjekët e kanë futur në sallën e kirurgjisë për një ndërhyrje kirurgjikale. Operacioni ka zgjatur shumë, që do të thotë se dëmtimi me thikë ka qene i konsiderueshëm, ndaj dhe kirurgëve u është dashur të punojnë gjatë. Familjarë dhe të afërm kanë qëndruar pranë repartit të kirurgjisë për të mësuar rreth operacionit dhe thane se Petraq Pero është jashtë rrezikut për jetën Këtë gjë e pohojnë edhe mjekët e kirurgjisë në Lushnje. Petraq Pero ka qenë me detyre oficer i policisë së shtetit për një kohë të gjatë. Kolegët e tij qëkanë punuar dhe e njohin nga afër thonë se autori i vetëplagosjes ka qenë korrekt në marrëdhënie me punën, shokët dhe nuk ka shfaqur asnjëherë shenja të dhunës. Vitet e fundit ka punuar në organet e SHISH-it dhe ka treguar se është i sjellshëm dhe korrekt me detyrat shtetërore dhe shoqërore. Pak kohë më parë ai ka dalë në pension.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›