Durrësin s'e prek ligji
Konflikti mes firmave të ndërtimit dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, del gjithnjë me humbje, në dëm të pasurisë nëntokësore mbi të cilën ndërtohet përditë
Para disa ditësh u komunikua në shtyp shpallja e luftës mes disa firmave të ndërtimit që operojnë në qytetin e Durrësit si dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës. Prej vitesh kjo betejë ka qenë e nëndheshme thuajse. Firmat shkelin ligjet, Instituti në rastin më të mirë i bllokonte dhe pas zhurmës mediatike shihej se ndërtimet vazhdonin me konsensus që në gjuhën e qytetarëve të thjeshtë përkthehet "korrupsion". Megjithëse u publikua se një firmë ka paditur drejtorin e Institutit t ë Monumenteve të Kulturës, Lorenc Bejko, prokuroria e Durrësit i është shmangur çdo informacioni lidhur me të. Ndërkaq, bisnesmenë ndertimi e persona që kanë lidhje me monumentet në Durrës thonë se është firma "Fama" që e ka bërë këtë padi penale. Në Durrës ka firma të gjobitura deri në 50 milionë lekë gjobë, ka firma të denoncuara nga Instituti i Monumenteve për dëmet që i kanë shkaktuar Durrësit historik e monumental. Tre muaj më parë u gjendën të hedhura në fushën e plehrave të qytetit, në Porto Romano, gjurmë arkeologjike. Kreu i sapoardhur në krye të Monumenteve të Kulturës, Lorenc Bejko, e denoncoi në media firmën "Fama sh.p.k" për dëmin e shkaktuar. Bejko pat deklaruar se do ta denonconte në prokurori firmën në fjalë.
Më në fund, ja ku është shfaqur beteja juridike mes Monumenteve dhe firmave. Vonesat e përcaktuara në ligj të shkaktuara nga ana e Institutit kanë shërbyer si Casuz Belli për të nisur një kundërgoditje juridike. Sipas ekspertëve juridikë, drejtori Bejko nuk ka respektuar afatet që i njeh ligji për dërgimin e specialistëve arkeologë për mbikëqyrjen e punimeve gjatë gërmimeve të dherave ku do të ngrihen pallatet. Të paditurit kundërpaditës siç njihen në terminologjinë juridike, nuk kanë toleruar më vonesat të cilat do të thonëhumbje shumash të mëdha dhe kanë kundërpaditur në prokurori.
Edhe një vit më parë, drejtori i Departamentit të Arkeologjisë në Durrës, dr.Afrim Hoti, ka lëshuar sinjalin e alarmit për dhunën që ushtrojnë firmat e ndërtimit në nëntokën arkeologjike të qytetit. Deklarimet e Hotit janë bërë në ditën Ndërkombëtare të Monumenteve duke ofruar edhe fakte. "Nga verifikimet që kemi bërë në terren deri më tani, na shqetësojnë pesë firma ndërtimi të cilat kanë shkatërruar pasurinë arkeologjike gjatë gërmimeve për ndërtimin e pallateve". Ai ka ngritur zërin lidhur me nënvleftësimin që kanë dëshmuar deri më tani pronarët e këtyre subjekteve pasi nuk kanë marrë mundimin as të dëgjojnë vërejtjet e bëra. Hoti e ka cilësuar tepër kritike situatën dhe alarmante pasi "firmat kanë injoruar çdo zë specialisti". Në morinë e probleme me të cilat është ndeshur ky departament veçanërisht pas viteve 2000, Hoti ka veçuar dëmet e pariparueshme që kanë sjellë gërmimet dhe betonimi i vendeve në pesë pika të cilësuara shumë të nxehta përsa i përket dëmtimit të pasurisë së nëntokës së Durrësit. "Kemi 5 sheshe ndërtimi problematike ku gjatë gërmimeve janë dëmtuar si dhe janë evaduar për në pikat e grumbullimit të materialeve inerte, shumë gjetje me vlera arkeologjike",- ka pohuar Hoti.
Departamenti i Arkeologjisë nuk është përfshirë në detyrimin e subjekteve të ndërtimit për të pasur në marrëveshjen për ndërtim edhe të një eksperti të arkeologjisë. Kjo i ka dhënë mundësi industrisë së ndërtimit të shpërfillë çdo ankesë e protestë të punonjësve të departamentit të drejtuar nga Hoti. "Pas spitalit të ri, në lagjen Nr. 6, ne kemi konstatuar se ndërtuesit kanë ushtruar dhunë mbi pasurinë arkeologjike të zbuluar nga gërmimet dhe materialet janë hedhur buzë kanaleve",- pohon Hoti. Ai ka fajësuar drejtpërdrejt edhe pushtetin vendor pasi ky i fundit nuk ka përfillur kërkesat e departamentit dhe nuk ka ndikuar aspak tek firmat e ndërtimit për të zbatuar ligjin. Sipas legjislacionit në fuqi, në rastet kur gjatë gërmimeve zbulohen rrënoja arkeologjike, subjekti ndërtues detyrohet të ndërpresë punimet e të vërë në dijeni pushtetin vendor dhe departamentin e kulturës. Nisur nga masakra reale e ndodhur në Durrës, logjika e gjitha këtyre veprimeve me pasoja të rënda për trashëgiminë arkeologjike ka një prapavijë të përcaktuar.
"Jam i sigurt që këta ndërtues i kanë shpatullat e nxehta dhe se ata që marrin në mbrojtje kompani e subjekte që shkatërrojnë pasuritë e nëntokës, përfitojnë shpërblime për të heshtur", ka deklaruar i revoltuar dr. Afrim Hoti. Në mënyrë të përsëritur ai pohon se çështja është mëse e njohur për drejtuesit e bashkisë si dhe për Institutin e Monumenteve të Kulturës. Sinjali i Hotit ka ardhur në një kohë që Durrësi ka disa projekte për ekspedita arkeologjike.
Dueli Prokurori-Institut Monumentesh nuk është i ri në Durrës. Ndër precedentët kryesorë përmendet rasti kur Prokuroria ishte vetë shkelëse dhe dëmtuese, pasi ndërtoi më 2005-n, në mënyrë të paligjshme një shtesë pallati që bllokoi fushëpamjen e një objekti me vlera historike për Durrësin, siç është Pusi i Top Hanes. Ish-drejtori i atëhershëm i Ateliesë së Monumenteve te Kulturës për Durrësin Idriz Balani, një kuadër kurajoz, e bllokoi ndërtimin e shtesës, por më në fund prokuroria, organi që do të mbronte ligjshmërinë, e shkeli atë dhe e ndërtoi shtesën. Një kundërshtim tjetër nga ana e Idrizit ndaj një leje për tu përdorur një objekt historik si lokal, leje të cilën e kishte miratuar paraardhësi i Lorenc Bejkos, i kushtoi largimin nga vendi i punës.
Ndërtuesit
Rasti
Në vendin ku po ndërtonte investitori Kujtim Kllogjeri u zbuluan mure të mirëmbajtura të pikës mbrojtëse më veriore të qytetit të lashtë të Durrësit. Punimet thotë ai, më janë zvarritur për 2 vite. Po tashti është gjetur zgjidhja. Muret e fortifikatës veriore do të mbulohen me xham duke u bërë të vizitueshme nga turistët. Po vonesa ka pasur kosto të madhe për investitorin. Ai thotë se për 6 muaj sa kanë vazhduar gërmimet ka paguar me rrogë 15 specialistë të arkeologjisë, me rreth 5000 euro në muaj. Kostos i shtohet edhe pagesa e qirave ku janë vendosur banorët të cilët kanë lëshuar shtëpitë që ndodheshin në zonën e sheshndërtimit të pallatit. Qiratë që paguan janë sipas tij nga 2000 euro në muaj. Vonesa qe mbi 8 muaj më pas, thotë Kllogjeri, deri kur iu dha leja përfundimtare.