Helmohen nga limonada, vdesin nënë e bijë
GRAMSH/ ALDO KOZARIA
Ngjarje e rëndë ndodhi dje në një fshat të Gramshit, ku nëna bashkë me vajzën e saj ndërruan jetë pasi konsumuan një pije freskuese. Nafije Bujku, 39 vjeçe dhe vajza e saj 10-vjeçare, R. Bujku janë ndier keq disa minuta pasi kishin pirë lëngun e përgatitur në kushtet e shtëpisë nga nëna e saj. Viktimat ishin nisur dje nga fshati Buçar për në Kukër për të vizituar prindërit e 39-vjeçares, nënë e tre fëmijëve. Sipas policisë, e cila bazohet edhe në dëshminë e të afërmve të viktimave, Nafije Bujku kishte mbërritur në banesën e prindërve të saj të mërkurën rreth orës 15:00. Familjarët e saj kanë qerasur vajzën e tyre dhe mbesën me një limonadë të përgatitur vetë. Dyshohet se pikërisht pluhuri që ata e kishin blerë kohë me parë, që është përzier me ujin të ketë qenë i skaduar, çka ka helmuar viktimat. Më pas, vonesa në mjekim ka sjellë edhe vdekjen e tyre.
Mësohet se vajza ka dhënë shenjat e para, pas saj edhe nëna. Ato janë ndier keq, por sërish ndihma ka vijuar në ambientet e shtëpisë, duke menduar se ishin të lodhura dhe se gjendja do u kalonte. Ka afruar darka dhe sërish nëna dhe vajza janë afruar në tavolinë për të konsumuar edhe ushqim. Por pa mbaruar mirë vaktin, ato janë tërhequr nga darka, duke u pohuar sërish familjarëve se ndiheshin keq. Kështu kanë vijuar edhe disa orë, derisa rreth orës 03:00, kur kanë parë se 39-vjeçarja dhe vajza ishin në gjendje kritike, familjarët i kanë nisur për në spitalin e Gramshit. Por kur kanë mbërritur atje, mjekët u kanë dhënë vetëm ndihmën e parë dhe i kanë nisur me urgjencë me autoambulancë drejt spitalit të Elbasanit, pasi të sëmurat ishin thuajse pajetë. Në momentin e mbërritjes në Elbasan, sipas mjekëve, nënë e bijë kanë qenë në gjendje kritike. Mjekët u kanë dhënë gjithashtu ndihmën e parë me lavazhe e serume për t’i shpëtuar, pasi helmimi sipas tyre kishte qenë i një shkalle të rëndë. Por megjithë ndihmën e dhënë, në orët e para të mëngjesit nënë e bijë kanë ndërruar jetë njëra pas tjetrës. Policia u sinjalizua nga spitali dhe mori në pyetje familjarët e viktimave. Fillimisht ata nuk ishin në gjendje të jepnin një shpjegim të saktë për atë që kishte ndodhur. Blutë dyshuan se nënë e bijë ishin helmuar nga ushqimi, por më pas dyshimi u fokusua tek pija e konsumuar. Kjo bazuar edhe në dëshminë e të afërmve, të cilët i pohuan grupit të hetimit se ato ishin ndier keq pak minuta pas pijes, ndërsa kur ishin afruar tek ushqimi, kishin qenë në gjendje tepër të rëndë. Policia verifikoi edhe ushqimin e konsumuar, kampionët e të cilave u sekuestruan për të bërë edhe analizat përkatëse. Gjithashtu, janë marrë edhe gotat ku ishte hedhur pija me qëllim për të marrë kampionë në të. Trupat e viktimave iu nënshtruan autopsisë dhe pritet rezultati i mjekëve ligjorë. Por paraprakisht, policia bëri të ditur se dyshimi kryesor ka të bëjë me pijen. Sipas tyre, do të verifikohet edhe dyqani i fshatit, ku mund të jetë blerë edhe pluhuri me të cilën përgatitej limonada.
Ndihma kërkohet pas 12 orësh
Përgjigjja e autopsisë së dy viktimave pritet të dalë sot e rrjedhimisht të ketë edhe një rezultat zyrtar në lidhje me motivin e vdekjes në mënyrë tragjike të nënës dhe vajzës së saj. Ngjarja ka tronditur familjarët, bashkëshortin dhe fëmijët e vegjël, të cilët tashmë mbetën jetimë e pa motrën e tyre. Sipas policisë, 39-vjeçarja dhe vajza e saj kanë mbërritur me vonesë në spital. Nëse ato do t’i ishin drejtuar menjëherë ndihmës mjekësore, atëherë mund të kishin shpëtuar, por gjendja e tyre e helmuar pa ndihmën e mjekut ka zgjatur rreth 12 orë.