Bllokohen punimet për rrugën e Hanit të Hotit
SHKODER - Ndërtimi i superstradës Shkodër-Hani i Hotit ka mbetur pezull pasi banorët e zonës nuk lejojnë firmën të nisë punimet për shkak të shpronësimeve. Ata janë të pakënaqur me çmimin prej 500 lekësh për m2 të vendosur nga ana e qeverisë, duke u hedhur në protestë. Qindra banorë të fshatit Palvar të komunës Koplik Qendër, të cilët preken nga ndërtimi i aksit rrugor Shkodër-Hani i Hotit, protestuan duke pezulluar punonjësit e firmës italiane që të vazhdojë punimet. Kur mendohej se do të fillonin punimet për ndërtimin e rrugës, pikërisht ditën e djeshme, në një segment të këtij aksi banorët kanë ndërhyrë duke mos lejuar nisjen e tyre. Të gjendur përballë kësaj situate firma italiane kërkoi ndihmën e strukturave shtetërore për sqarimin dhe zgjidhjen e kësaj çështjeje. Në vendin e punimeve mbërriti edhe kryetari i komunës Isa Ramja dhe nënprefekti i Malësisë së Madhe, Sytki Ndreca, të cilët u munduan të futen në negociata për të bindur banorët që të lejonin firmën italiane të vazhdojë punën. Ardhja e nënprefektit jo vetëm që nuk pati rezultat, por vetëm sa acaroi më shumë banorët, të cilët u shprehën se ndihen të zhgënjyer. “Punimet e autostradës nuk do të fillojnë nëse nuk ndryshohet çmimi i shpronësimit për tokën bujqësore. Qeveria ka përcaktuar një çmim qesharak, 500 lekë metrin katror të tokës bujqësore. Ne jetojmë me këtë tokë. Nëse na merret për të ndërtuar rrugën duhet të blejmë tokë tjetër për të jetuar, por me ato lekë që na jep shteti nuk mund të blihet asgjë, pasi çmimi real i tokës është 4-5 fish më shtrenjtë”, u shprehën protestuesit. Ata thanë se nuk janë kundër punimeve, por duhet të marrin atë që u takon. Projekti i përgjithshëm i autostradës Shkodër–Hani i Hotit kap vlerën e 40 milion eurove dhe është financim i Cooperacione Italiana. r.d