E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet “Mandela” shqiptar, 33 vjet jete nëpër burgje



MAT/ HASAN PASHA

Shuhet në moshën 80-vjeçare “Mandela” shqiptar. Mersin Vlashi, i cili kaloi 33 vjet në burgje, me akuzën për agjitacion e propagandë ndërroi jetë dy ditë më parë pas një sëmundjeje të gjatë. Ish-i dënuari i regjimit komunist dy herë radhazi mbahet mend se në mes të burgut të Spaçit e në mes të kohës së diktaturës pikturoi flamurin kuq e zi pa yllin mbi të. Ky flamur u shndërrua në simbolin e një revolte që u shua përgjakshëm. Vlashi ka vuajtur gjatë regjimit të kaluar më shumë se 3 dekada nëpër burgjet më të egra të asaj kohe, që konsideroheshin të sigurisë tepër të lartë, siç ishin në Spaç, Qafë Bari e Burrel. Piktori i talentuar u arrestua në moshën 18-vjeçare me akuzën e rëndë, atë të agjitacionit dhe propagandës dhe u dënua për këtë akuzë. Kjo periudhë e gjeti Vlashin të izoluar në burgun e Spaçit, kur dhe ndodhi revolta e famshme, më 21 maj 1973. Nuk harrohet akti i guximshëm i Mersin Vlashit, kur ai pikturoi flamurin pa yll dhe për këtë u dënua dhe me 25 vite të tjera burgim. Spaçi ishte burgu me punë të detyruar, i ndërtuar më 1968. Kampi përbëhej nga disa baraka të vogla të ndërtuara nga drejtoria gjeologjike në vitin 1956. Puna në galeri bëhej me tre turne dhe pa asnjë lloj sigurimi teknik dhe norma e punës ishte 4 vagonë për dy të burgosur. Atë që nuk e realizonte, e lidhnin me kavo të zhveshur në pemët jashtë galerive. Nga trajtimi mizor, më 21 maj të vitit 1973 të burgosurit u hodhën në revoltë, e cila më pas u cilësua si revolta e parë me karakter politik në Shqipëri gjatë viteve të diktaturës. “Ngritëm në kamp flamurin e kuq me shqiponjë, por pa yll, që u përgatit nga piktori Mersin Vlashi dhe po kështu hodhëm parulla kundër diktaturës. Kishim shtënë kështu në dorë kampin e brendshëm”, tregojnë ish-kolegë të Vlashit. Rreth një vit më parë, kur Vlashi ndodhej i shtruar në spitalin e Sanatoriumit të Tiranës është vizituar nga kryetari i Shtetit, Bamir Topi. Presidenti i uroi në ditën e lindjes 79-vjeçarit shërim të shpejtë, por sëmundja e gjatë, e trashëguar që në kohën e burgimit, i mori jetën Vlashit pasi kaloi 80 vitet. Pa frikë Mersin Vlashi mund të konsiderohet “Mandela” shqiptar, pasi kurrë nuk u dorëzua përballë regjimit të kohës. Ai vuajti plot 33 vjet heqje lirie, duke shpëtuar nga prangat e diktaturës vetëm me rënien e sistemit dhe zëvendësimit të tij në vitet ’90. Emri i Mersin Vlashit përmendet prej bashkëvuajtësve të tij, si një ndër organizatorët e protestës së revoltës së Spaçit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›