“Ëndrra e Çamërisë”, emocione në filmin ndaj gjenocidit
VLORE - Emocion, lot dhe dhimbje nga komuniteti çam në shfaqen e filmit “ëndrra e çamërisë” në pallatin e kulturës “Labëria” në Vlorë. Prodhuar nga shtëpia e Filmit dhe e librit “Bota Shqiptare”, filmi i Kujtim çashkut, me skenografi të Enver Kushit, producent Gent Gjonaj, si dhe me sponsor të deputetit Dashamir Tahiri është shfaqur ditën e djeshme. Të pranishëm ishin anëtarë të komunitetit çam në Vlorë, kryetari i PDU –së dhe njëkohësisht deputeti Shpëtim Idrizi, deputetët Dashamir Tahiri dhe Ardi Kollozi, kryetari i PDI, Tahir Muhedini. Edhe pse komuniteti çam është i përfaqësuar në dy parti, filmi “ëndrra e çamërisë” i ka bashkuar ata në një sallë. Në fakt marrëdhëniet midis krerëve aktualisht janë të ngurta, ndonëse të dyja palët bëjnë thirrje për bashkimin e tyre. Filmi emocionoi kryesisht personat që kanë përjetuar gjenocidin grek, vrasjet, torturat, përdhunimet dhe shkatërrimin e trojeve të çamërisë. Gjatë gjithë shfaqjes së filmit për dy orë rresht ka pasur shumë emocione, lot, dhimbje dhe mall për trojet e çamërisë, të cilat u plaçkitën në sy të çamëve. Në fund të filmit për të pranishmit u dha edhe një koncert me këngë dhe valle të çamërisë. Filmi homazh për krahinën e çamërisë flet për traditat e shquara kulturore e patriotike, homazh për dhimbjen, lotët e gjakun e saj. q.b