Bllokohet në Kakome 1 ton drogë
SARANDE/ SHPRESA DINE
Bllokohet pranë bregut të Jonit 1 ton drogë. Sasia rekord e kanabis sativës zbulohet vetëm një javë pasi në të njëjtën zonë, një skaf grek tentoi të merrte 700 kg marihuanë.
Policia e Sarandës dhe ajo e Vlorës, në bashkëpunim me Delta Force ndaluan mbrëmjen e djeshme, në afërsi të Kakomesë një furgon me targë VL 6394 B, brenda të cilit ndodheshin thasët me lëndë narkotike. Nga të dhënat e para bëhet fjalë për një sasi të konsiderueshme marihuane, e cila mund të arrijë 1 ton, por që pritet të saktësohet pas peshimit nga ekspertët. Burime të policisë thanë mbrëmë, se furgoni po bënte lëvizje të dyshimta në vendin e njohur si Gjiri i Kasolles, pranë Kakomesë. Me afrimin e forcave të policisë, shoferi i mjetit dhe një person tjetër që ndodhej brenda e braktisën menjëherë furgonin, duke u larguar me shpejtësi për t’u fshehur në zonën përreth. Policia ka nisur kërkimet, ndërsa dyshohet se tre persona rezultojnë të përfshirë në këtë trafik. Në të njëjtën kohë një skaf i Guardia di Finanza ka vijuar ndjekjen në afërsi të kufirit detar Shqipëri-Itali të një skafi që vinte nga Italia për të mbërritur në Gjirin e Kasolles, ku ndodhej droga. Sasia e madhe e lëndës narkotike mendohet të jetë siguruar në Lazarat, me qëllim transportimin e saj drejt Italisë. Mendohet se kjo pikë ishte zgjedhur nga transportuesit e drogës si vend i sigurt për lënien e saj, në pritje të një mjeti lundrues. Një skaf ose gomone do të bënte të mundur transportimin e saj drejt brigjeve italiane dhe dyshohet se është pikërisht ai për të cilin Guardia mori sinjalizime dhe doli në det. Nisur nga të dhënat e mjetit, policia ka identifikuar poseduesin e saj dhe bashkëpunëtorët në këtë rrjet. Sasia e drogës është bllokuar dhe transportuar për në komisarit, bashkë me mjetin në të cilin u gjet. Deri në mesnatë, forcat e policisë të angazhuara kanë qenë në operacionin e koduar “Vazhdimi”.
Skafi grek do çonte në Korfuz drogën
Rreth 700 kg kanabis sativa u bllokuan më 13 mars nga policia, në afërsi të Gjirit të Bunecit. Droga ishte transportuar aty me një furgon me targa të huaja, në një distancë rreth 50 metra nga bregu, në pritje për t’u nisur drejt Greqisë. Policia kishte pikasur me radar një mjet lundrues që ishte nisur nga Korfuzi, por ai u kthye pas. Kjo solli dyshimet se skaf i huaj do të shërbente për kalimin e drogës drejt shtetit fqinj. Një 31-vjeçar u arrestua si transportues i saj.