E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen transportuesit shqiptarë me Italinë

Ministria e Transportit të Italisë bllokon sërish lejet e qarkullimit për kamionët, të cilat njihen ndryshe si disvoltat italiane. Të gjithë dëgjojmë të flitet çdo ditë për lëvizjen e lirë. Por të paktën për transportin e mallrave mbetet po aq "e lirë" sa në kohën e komunizmit.

Transportuesit shqiptarë që punojnë me linjat Shqipëri-Itali janë bllokuar për mungesë të këtyre lejeve bilaterale të kalimit.

Disvoltat janë leje ndërkombëtare të transportit të kamionëve, por që në fakt marrja e tyre është shumë e vështirë, për shkak se shteti shqiptar nuk e ka lodhur mendjen ta lehtësojë këtë shërbim, duke negociuar të paktën me Italinë.

Ka më shumë se dy muaj që thuajse të gjithë kamionët e tonazhit të madh të transportit ndërkombëtar të Durrësit kanë mbetur pa punë. Mbi 80 për qind e tyre bëjnë biznes me Italinë, por meqenëse lejet e qarkullimit, të cilat lëshohen nga ana e Ministrisë së Transportit e Italisë kanë mbaruar, ky lloj transporti ka mbetur i paralizuar. Edhe pse kjo është një çështje e vjetër, ajo nuk është zgjidhur ende.

Sipas presidentit të Shoqatës së Transportuesve Ndërkombëtarë Rrugorë, kjo është një situatë që përsëritet çdo vit. Kjo shoqatë ka apeluar pranë Ministrisë së Transporteve shqiptare për të gjetur një zgjidhje, por situata përsëritet çdo vit në muajt tetor dhe nëntor, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të disvoltave që jep Ministria e Transportit të Italisë. Në Durrës janë rreth 400 kamionë të tonazheve nga 20 tonë deri 25 tonë, të cilët kanë mbetur pa punë. E gjitha kjo pritet që të zgjasë të paktën edhe disa muaj të tjerë, deri në fillim të vitit 2009, kohë kur Ministria italiane e Transporteve do të dërgojë lejet e reja. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit lejet kanë mbaruar që në muajin shtator. Kryetari i Shoqatës së Transportuesve Ndërkombëtarë, Ilir Mataj, tregon se shoqata që ai drejton "shpërndan lejet e kalimit për 20 shtete. Me 19 shtete nuk kemi pasur asnjëherë probleme. Problem disavjeçar kemi pasur vetëm me Italinë. Ministria italiane e Transportit asnjëherë nuk i ka plotësuar kërkesat e transportuesve shqiptarë".

Vitin e kaluar, ANALTIR nga Italia mori 13800 copë leje bilaterale. Në vitin 2008 janë marrë vetëm 11500 copë dhe si rezultat ka më shumë se dy muaj që pjesa më e madhe e transportuesve janë të bllokuar.

Deri dy javë më parë, nga Ministria e Transporteve ishte sajuar një leje që kamionët shqiptarë kishin të drejtë të hynin deri në 100 km larg portit. Por edhe kështu nuk mund të funksionojë gjatë, sepse kjo sajesë nuk ekziston në asnjë marrëveshje dypalëshe dhe duket si qesharake.

Sipas kryetarit të ANALTIR-it, "ky problem është trajtuar me të gjitha qeveritë në 10 vjet, që do të thotë se përpjekjet nuk janë të mjaftueshme meqë problemi nuk është zgjidhur".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›