E Shtunë, 31 Tetor 2026

Licencat urbane, ndryshojnë kriteret

Këshilli bashkiak kryeqytetas, në mbledhjen e tij të fundvitit do të duhet të marrë në shqyrtim për të miratuar një seri kriteresh të reja për licencimin e linjave të transportit urban. Aktualisht, ky shërbim për kryeqytetin është i privatizuar në pjesën më të madhe të linjave të tij. Ndërkohë që është përgatitur materiali për kërkesat e reja, të cilave duhet t‘u nënshtrohet procesi i licencimit të linjave të transportit urban, pohojnë përfaqësues të Bashkisë së Tiranës. Kështu, pas delegimit të kompetencave nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, në pushtetin vendor bashkia e kryeqytetit ka përgatitur një propozim që pritet t‘ia kalojë Këshillit Bashkiak të Tiranës për shqyrtim në fillim të dhjetorit në mbledhjen e tij të radhës.
Katër janë kushtet kryesore që duhet të përmbushë një kompani private për transportin qytetas të udhëtarëve. Kriteri i parë që duhet të plotësojë personi fizik apo juridik, që kërkon të licencohet për ushtrimin e veprimtarisë së transportit rrugor të udhëtarëve e mallrave, duhet të provojë se ka një reputacion të mirë. Por, mbi të gjitha, ai duhet të ketë një gjendje më se të përshtatshme financiare, në mënyrë që të përballojë ofrimin e këtij shërbimi për qytetarët dhe të mos bëhet shkak për të krijuar situatë të pakëndshme me këtë shërbim. "Ndër kriteret e kërkuara është edhe kompetenca profesionale dhe natyrisht zotërimi i mjeteve të transportit rrugor me motor, në numrin dhe gjendjen teknike të kërkuar", konfirmojnë përfaqësuesit e bashkisë kryeqytetase.
Ndërsa sqarohet më tej se për ato raste kur aplikanti për pajisjen me licencë është një person që nuk ka kompetencë profesionale, ai mund të emërojë një person tjetër që plotëson kërkesat e reputacionit dhe të kompetencës profesionale, që të mund të menaxhojë efektivisht dhe në mënyrë të vazhdueshme operacionet e transportit të ndërmarrjes.
Numri i autobusëve në transportin e udhëtarëve në linja të rregullta, përcaktohet nga zyra e licencave në bazë të frekuencës së udhëtimeve, distancës së udhëtimit dhe mjeteve rezervë që duhet të ketë ndërmarrja e transportit.
Sipas një studimi të kryer nga Instituti për Kërkime e Alternativa Zhvillimi dhe Bashkia e Tiranës, transporti urban përdoret shpesh nga plot 46 për qind e kryeqytetasve. Ndërsa, po sipas këtij studimi, rreth 32 për qind e qytetarëve i përdorin linjat urbane 1 herë në javë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›