E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen zgjedhjet në PD, nuk konstituohet Këshilli i ri Kombëtar



Gati pesë muaj nga Kuvendi Kombëtar që zgjodhi anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, ende nuk është konstituuar një ndër strukturat më të rëndësishme vendimmarrëse të Partisë Demokratike. Si rrjedhojë, moskonstituimi i Këshillit Kombëtar mban të bllokuar procesin zgjedhor në selinë blu, mosfunksionimin e Kryesisë Qendrore dhe Sekretariatin, anëtarëve të të cilave u ka përfunduar mandati. Madje, askush nga PD-ja nuk e di se kur do të mblidhet Këshilli Kombëtar. Kjo për faktin se në Statutin e ri nuk është përcaktuar asnjë afat për mbledhjen e tij. Madje, në ndryshimet që u miratuan në Kuvendin Kombëtar, që i zhvilloi punimet më 14 dhjetor 2009 u hoq dhe pika që parashikonte se Këshilli Kombëtar mblidhet të paktën dy herë në vit. Kjo dispozitë nuk është zbatuar ndonjëherë, por me heqjen nga Statuti mbeten pezull ndryshimet e njoftuara në PD. Në Statut është parashikuar vetëm fakti se “mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret kryetari ose sekretari i Përgjithshëm, me miratim të kryetarit në marrëveshje me Kryesinë e Partisë. Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe nëse e kërkon ¼ e anëtarëve të tij. Në këtë rast, kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës. Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t’u njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes”.
Bllokimi
Mosmbledhja e Këshillit Kombëtar tejkalon mandatet e Topallit, Bodes, Patozit si dhe sekretarëve të tjerë të partisë. Lidershipi i Partisë Demokratike mban postet jashtë mandatit prej gati 5 muajsh. Me përjashtim të kryetarit Sali Berisha, drejtuesit e tjerë nuk janë rikonfirmuar zyrtarisht dhe me procedurë të rregullt në detyrat që ushtrojnë. Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, struktura e cila duhet ta bëjë këtë veprim, nuk është mbledhur dhe as nuk dihet se kur mund të mblidhet. Pas dhjetorit, teksa pritej mbledhja e Këshillit, diçka e tillë nuk ndodhi. Drejtuesit demokratë deklaruan si kohë të mbledhjes muajin janar dhe konkretisht fundin e tij. Përmbytjet e ndodhura në qarkun e Shkodrës çuan te “transferimi” i ministrave në terren dhe askush nuk e kishte mendjen te Këshilli Kombëtar. Një tjetër njoftim i demokratëve ishte se ky forum do të mblidhej në muajin shkurt, por kjo nuk ndodhi as në mars. Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar pritej të zgjidheshin emrat e anëtarëve të Kryesisë së re Qendrore të PD-së, si dhe emrat e sekretarëve të rinj, ndërkohë që pritej të rikonfirmoheshin në postet e tyre dy nënkryetarët, Topalli e Patozi.
Këshilli
Më 14 dhjetor demokratët mblodhën Kuvendin Kombëtar ku votuan unanimisht pro rizgjedhjes së Berishës në krye të Partisë Demokratike. 1260 delegatët që morën pjesë në një proces maratonë votimi që ka zgjatur deri në orët e vona të mbrëmjes zgjodhën Berishë si dhe votuan për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar. Në garë për një karrige në Këshillin Kombëtar të PD-së ishin jo pak, por 400 kandidatë, nga të cilët u zgjodhën vetëm 100 të tillë. Lista me emrat fitues mban shumicën e deputetëve të PD-së, ministrat e partisë, si dhe këshilltarët e Berisha dhe një pjesë drejtorë drejtorie. Ajo që ra në sy në këtë listë është mungesa e disa emrave që njihen si oponentë të kryeministrit Berisha. Nuk arritën të marrin votat e duhura për të qenë pjesë e Këshillit Kombëtar dy individë që janë anëtarë të Kryesisë Qendrore, si Aleksandër Biberaj dhe Omer Stringa. Po kështu në listën fituesve mungonin disa ish anëtarë të Këshillit, ish deputetë si Ndriçim Babasi, Pal Dajçi e Sali Shehu. Duke e krahasuar me listën e mëparshme të anëtarëve të Këshillit janë vërejtur disa mungesa si ajo e deputetëve Eris Hoxha e Leonard Demi, apo anëtarëve të vjetër si Mitro Çela, Mujë Buçpapaj e Uran Butka. Ajo që ra në sy në listën e fituesve numri i madh i anëtarëve të rinj që janë zgjedhur nga delegatët e Kuvendit Kombëtar. Megjithëse shumica e tyre janë të rinj dhe nuk njihen ende në qarqet mediatike, duket se ata kanë lidhje të ngushta me delegatët ndaj dhe kanë marrë votat e tyre. Shumica e anëtarve të janë këshilltarë të Berishës të emëruar rishtazi. Hyrjet e reja në Këshill nisin me aktoren e mirënjohur Rajmonda Bulku që ka zënë vendin e 17 duke marrë më shumë vota se anëtarë të vjetër të PD-së, vazhdojnë më tej me këngëtaren Çiljeta Xhilaga e cila nuk mbetet pas për nga mbështetja që gëzon në radhët e demomkratëve duke marrë 502 vota. Më tej lista vazhdon me dy zëdhënëset zyrtare atë të kryeministrit Juela Meçani dhe atë të selisë blu, Erla Mëhilli. Më tej vijnë këshilltarët dhe ish këshilltarët Berishës si dhe ish zëvendës ministra tani deputetë të rinjë të PD-së, si: Suzana Guxholli, Spiro Ksera, Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Florian Mima, Keltis Kruja, Ledina Aliolli, Adriana Gjoni, Jorida Tabaku e Paulina Hoti.

Berisha i uron me telefon Berluskonit fitoren në zgjedhjet vendore

Kryeministri Berisha zhvilloi dje në drekë një bisedë telefonike mjaft të ngrohtë e miqësore me kryeministrin e Italisë, Silvio Berluskoni, të cilin e uroi përzemërsisht për fitoren në zgjedhjet rajonale vendore të zhvilluara në Itali. Kryeministri Berisha i shprehu kryeministrit Berluskoni bindjen se kjo fitore dëshmon besimin e madh të qytetarëve italianë te Silvio Berluskoni dhe te koalicioni qeveritar. Kryeministri Berluskoni e falënderoi me shumë përzemërsi kryeministrin Berisha për urimin e tij. Kryeministri Berisha dhe kryeministri Berluskoni ranë dakord gjatë kësaj telefonate që do të shihen së shpejti në një takim të përbashkët.

Topi, bisedë telefonike me homologun maqedonas për incidentin me Greqinë

Me kërkesë të presidentit Gjorgje Ivanov, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij, Presidentin e Republikës së Maqedonisë.
Gjatë bisedës, presidenti Ivanov shprehu shqetësimin për situatën e krijuar nga sjellja e disa ushtarëve grekë ditët e fundit ndaj vendeve fqinje. Presidenti Topi i bëri të ditur presidentit Ivanov se e konsideron si një ngjarje të izoluar, e cila nuk prek kurrsesi marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe e konsideron atë si një çështje të tejkaluar, i bindur se marrëdhëniet mes vendeve tona po zhvillohen gjithnjë e më mirë në funksion të interesave të përbashkëta. Presidenti Topi vlerësoi ndjesën e autoriteteve greke për ngjarjen duke ndarë sjelljen e disa individëve nga sjellja institucionale. Presidenti Topi vlerëson se marrëdhëniet në rajonin ballkanik nuk duhet të influencohen nga ngjarje të izoluara.

Topalli takon përfaqësues të kompanisë së ndërtimit “Strabag”

Një nga kompanitë më të fuqishme në Europë për ndërtimet dhe punët publike, “Strabag”, ka shprehur një interes në rritje për investime të mëdha e serioze në Shqipëri.
President i kompanisë, Hans Peter Haselsteiner, zhvilloi dje një takim me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Duke falënderuar zotin Haselsteiner për investimet e tyre në Shqipëri dhe interesin e vazhdueshëm, tha se Shqipëria ndodhet në momentet e saj më të mira, ndër 4 vendet në botë me rritje ekonomike. “Investimet janë prioriteti ynë sepse investime do të thotë të ardhura, do të thotë punësim”, - është shprehur Topalli.
Nga ana e tij, zoti Haselsteiner tha se kompania e tij është e interesuar të investojmë dhe të qëndrojmë gjatë në Shqipëri. “Duam të jemi pjesë e projekteve të mëdha të zhvillimit të infrastrukturës”, - u shpreh presidenti i “Strabag”.

31 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›