Raportuesi PE-së në selinë rozë, angazhim për zgjidhjen e krizës politike në vend
Duket qartë se ndërkombëtarët janë të interesuar të vazhdojnë të japin kontributin të tyre në lidhje me zgjidhjen e krizës politike në vend. Kreu i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Gramoz Ruçi, priti dje në selinë rozë raportuesin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Nicolas Chountis. Gjatë bashkëbisedimit me Ruçin, raportuesi i PE-së për Shqipërinë deklaroi se do të bëjnë gjithçka që në Shqipëri të ndërmerren të gjitha hapat demokratikë për zgjidhjen e krizës. Ruçi u ndal gjatë takimit në krizën politike të vendit. Ai tha se PS-ja ka ndërmarrë të gjithë hapat konkretë për zgjidhjen e kësaj krize, duke qenë e përfaqësuar në Kuvend, duke propozuar nisma ligjore dhe vendimmarrëse, të cilat, nëse nuk do ishin hedhur poshtë nga maxhoranca, sot do të kishin zgjidhur përfundimisht krizën. Në takim Ruçi shoqërohej nga deputeti Taulant Balla. Në këtë takim, kryetari i Grupit socialist vlerësoi rolin shumë të rëndësishëm që PE-ja luan në mbështetjen e aspiratave integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjithashtu, Ruçi theksoi vullnetin e PS-së që Shqipëria të marrë sa më parë lajmin e shumëpritur të liberalizmit të vizave, për t’u bërë pjesë e hapësirës së lirë ku edhe shqiptarët, njësoj si fqinjët e tyre, do të mund t'i kalojnë kufijtë e Europës pa pengesa. Gjithashtu, tha Ruçi, shqiptarët nuk mund të penalizohen për shkak të keqqeverisjes.
Takimi
Pas vendimit të marrë prej tyre për nisjen e protestave dhe raportin e kushtëzuar me institucionin e Parlamentit, socialistët po zhvillojnë takime me ndërkombëtarë, duke kërkuar prej tyre ndihmë dhe sugjerime për zgjidhjen e krizës. Takimi me komisionerin Fyle është zhvilluar vetëm një ditë pas takimit që Rama zhvilloi me ambasadorin e Komisionit Europian, Helmut Lohan. Por, nga ana tjetër, ndërkombëtarët kanë bërë thirrje se bojkoti i opozitës pa një dialog konsultativ do të ndikonte negativisht në integrimin e vendit. Njëkohësisht, mospjesëmarrja e opozitës do të bllokonte aktivitetin e institucionit të Kuvendit pasi një numër i rëndësishëm projektligjesh kërkojnë shumicën e votave. Ambasadori spanjoll, Emanuel Montobio, në një intervistë ka kërkuar që liderët politikë të ulen dhe të dialogojnë sërish, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje, pasi po skadojnë afate të rëndësishme për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe mungesa e një rrugëdaljeje do të vonojë integrimin. Ai sqaroi se ajo që ka thënë Bashkimi Europian është se zgjidhja e këtij ngërçi politik është një dialog konstruktiv politik dhe rezultati që do të arrihet nëpërmjet këtij dialogu është pikërisht një marrëveshje për mandatin e këtij komisioni hetimor parlamentar.
Draftet
Duke qenë se maxhoranca nuk tregoi gatishmërinë për hetimin e plotë të zgjedhjeve, në Asamble, Partia Socialiste mori vendimin që të ketë një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, duke mos marrë pjesë në votimin e projektligjeve më të rëndësishme që kërkojnë shumicën e votave. Opozita do të jetë në Parlament vetëm për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Por kjo do të sjellë bllokimin e aktivitetit të Kuvendit pasi disa prej projektligjeve kërkojnë 84 vota për t’u miratuar, si ai i Gjykatës Administrative, i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe i Policisë Gjyqësore. Këto drafte vazhdojnë të qëndrojnë pezull për shkak të mungesës së kartonëve në Parlament.
31 Mars 2010