Rama, letër Fyles: “Maxhoranca po mban peng transparencën e zgjedhjeve”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka dërguar dje një letër komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, në lidhje me situatën politike në vend. Rama i shprehu optimizmin komisionerit Fyle për liberalizimin e vizave në vend, duke u bërë kështu pjesë e hapësirës së lirë ku edhe shqiptarët, njësoj si fqinjët e tyre, do të mund t'i kalojnë kufijtë e Europës pa asnjë pengesë. Kreu i PS-së ngriti shqetësimin në këtë letër për rëndimin e mëtejshëm të gjendjes në Shqipëri. Sipas tij, rëndimi i kauzës politike ka ardhur si pasojë e anashkalimit brutal të atyre dy elementeve të patjetërsueshme të Kushtetutës dhe transparencës. Në letër nënvizohet se maxhoranca po mban peng transparencën e zgjedhjeve.
Letra
“Arsyeja e këtyre rreshtave nuk është ringritja e çështjes tanimë të njohur prej Jush dhe as rirreshtimi i të gjithë argumenteve të opozitës shqiptare lidhur me domosdoshmërinë e hetimit të zgjedhjeve të shkuara për të shpëtuar nga korrupsioni zgjedhjet e ardhshme.
Nuk do ta shkruaja këtë letër nëse pikërisht gjatë rrugës Suaj të kthimit drejt aeroportit ‘Nënë Tereza’, pas lënies së një mesazhi kuptimplotë për forcat politike shqiptare, shumica parlamentare nuk do të kishte adoptuar në sallën e Kuvendit, madje duke pretenduar se po zbaton porosinë e mesazhit Tuaj, një zgjidhje tërësisht të njëanshme, të pambështetur as mbi Kushtetutën as mbi transparencën”, - shprehet Raman në letrën drejtuar komisionerit Fyle. Rama thekson se komisioni parlamentar nuk mundëson hetimin e plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të shkuara, por e pengon forcërisht ushtrimin e plotë të kontrollit kushtetues të Parlamentit mbi shkallën e zbatimit të ligjit gjatë procesit të fundit zgjedhor. Kështu, siç pengon në këtë mënyrë edhe realizimin e transparencës së plotë, duke përfshirë kutitë zgjedhore, ku fshihet fenomeni jashtëzakonisht shqetësues i tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve shqiptarë falë një mekanizmi korrupsioni që duhet çmontuar me çdo kusht. “Sikurse e kemi bërë të qartë në mënyrë të vazhdueshme, përmes transparencës opozita nuk kërkon të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve të shkuara, por të mos lejojë që zgjedhjet e ardhshme të kushtëzohen nga ky mekanizëm korrupsioni, i cili, siç e tregon edhe rasti dramatik i së vetmes kuti të hapur deri tash në fshatin e quajtur Ruzhdie, as mund të kapet gjatë monitorimit të ditës së zgjedhjeve dhe as mund të kufizohet në forcën e vet tjetërsuese të vullnetit të zgjedhjeve në qoftë se nuk çmontohet paraprakisht. Vetëm transparenca sot e çmonton këtë mekanizëm nesër”, - thotë Rama.
Transparenca
Edhe në letrën dërguar komisionerit Fyle, Rama bën të qartë se prania e opozitës në Kuvend do të jetë vetëm për transparencë, duke mos marrë pjesë në votimin e projektligjeve më të rëndësishme. “Lejomëni të nënvizoj se në këtë parlament, ku hymë e do të qëndrojmë me vullnetin për ta bërë realitet transparencën, kutitë zgjedhore mbahen peng nga shumica jo vetëm në kundërshtim me Kushtetutën e ligjin që ia heq shumicës të drejtën të kufizojë objektin e hetimit të kërkuar nga pakica, por edhe në kundërshtim me precedentin e legjislaturës së shkuar kur kutitë përkatëse u vunë pa asnjë problem në dispozicion të një komisioni hetimor”, - shprehet Rama.
Kreu i selisë rozë në letër i shprehet komisionerit Fyle se PS-ja e konsideron jetike për demokracinë në Shqipëri realizimin e transparencës së procesit zgjedhor. “Ju do të gjeni vendin e kohën për ta riadresuar këtë problem, që nuk ka të bëjë me interesin e opozitës shqiptare si palë, po me interesin e shqiptarëve si popull për të bërë zgjedhje me standardet e çdo populli europian. Dhe, pse jo, edhe me interesin e Europës si familje popujsh, ku nuk mund të konceptohet e jo më të lejohet që korrupsioni të vendosë fatin e një procesi zgjedhor, duke u hequr qytetarëve të drejtën të gjykojnë me votë qeverinë e tyre”, - shprehet Rama.
31 Mars 2010