E Diel, 1 Nëntor 2026

Ristani: “Zgjedhjet patën probleme, por nuk ndikuan në rezultat”



Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, gjatë raportimit të djeshëm në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ka pranuar se gjatë procesit zgjedhor ka pasur probleme, por ato nuk kanë ndikuar në rezultat. Ristani është shprehur se një ndër problemet kryesore është politizimi i procesit. Sipas tij, partitë politike ishin përgjegjëse për çdo parregullsi dhe defekt që është shfaqur gjatë procesit zgjedhor të 28 qershorit, ditën e votimit ose në numërim. Duke përdorur frazën nga raporti i ODIHR-it se për të pasur zgjedhje plotësisht sipas standardeve ndërkombëtare, partitë politike duhet të zbatojnë ligjin në çdo detaj, Ristani kërkoi nga partitë politike eliminimin e ndikimit të tyre politik te zbatimi i Kodit Zgjedhor.
Problematika
Sipas Ristanit, mungesa e trajnimit të komisionerëve për faj të partive politike që i sollën shumë vonë emrat, solli probleme në procedurën e numërimit, që sipas raportit të OSBE/ODIHR-it, u krye keq ose shumë keq në 1/3 e rasteve. “Komisionerë të patrajnuar shpeshherë e kalonin fletën e votimit në më pak se katër sekonda. Për mua problemi kryesor është ndikimi i subjekteve politike mbi procesin. Në rast se nuk eliminohet kjo pjesë, nuk besoj se do të arrijmë t’i shmangim ato probleme që janë krijuar”, - u shpreh Ristani. Në raportin e paraqitur në Komisionin e Ligjeve, KQZ-ja nuk kishte përmendur emrat e partive që kanë penguar apo bllokuar procesin, por Ristani e bëri këtë pas këmbënguljes se deputetëve demokratë, të cilët e pyetën disa herë: Në sa raste është përgjegjëse PD-ja dhe PS-ja, të cilat kontrollojnë procesin në mënyrë të barabartë? “Ajo që mua personalisht më ka shqetësuar ka qenë fenomeni i largimit të komisionerëve bashkë me vulën. Kjo taktikë e paligjshme elektorale është hasur në Fier, në Kukës dhe në Shkodër. Të gjitha rastet e paraqitura kanë qenë nga ana e komisionerëve të Partisë Socialiste”, - u shpreh Ristani. Por, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve demokratë, Ristani deklaroi se defektet e vërejtura në proces nuk kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Ristani gjithashtu bëri të ditur se KQZ-ja ende nuk i ka djegur fletët e votimit. Sipas tij, në Kodin Zgjedhor nuk është parashikuar ndonjë afat kur mund të digjen fletët e votimit dhe duke parë situatën e tensionuar politike, KQZ-ja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj fletëve të votimit. Ndërsa për rastin e Ruzhdies, Ristani akuzoi Prokurorinë për ndjekjen e standardeve të dyfishta. Ristani e cilësoi si trajtim të pabarabartë nga ana e Prokurorisë, e cila ka trajtuar vetëm denoncimin e komisionerëve socialistë, ndërkohë që nuk ka marrë vendim ndaj komisionerëve socialistë që ditën e zgjedhjeve vodhën vulën në komunën Ruzhdie.
Ristani kërkoi që komisionerët që nuk iu bindën urdhrave të KQZ-së, të dënohen nga Drejtësia dhe prokurorët të mos mjaftohen vetëm me kërkesat për dënime me gjoba në para. Në përfundim të raportimit në Komisionin e Ligjeve, Ristani apeloi që në Kodin e ri Zgjedhor të parashikojmë masa më të rrepta për komisionerët që largohen nga procesi.
Komisioni
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në përfundim të mbledhjes miratoi një projektrezolutë për vlerësimin e veprimtarisë së KQZ-së për vitin 2009. “Zgjedhjet e 28 qershorit 2009 kanë qenë zgjedhjet më të mira, më të drejta dhe më të lira që ka realizuar Shqipëria pas viteve ‘90 dhe se këto zgjedhje përmbushën shumicën e angazhimeve të Republikës së Shqipërisë ndaj OSBE-së.
Komisioni Qendror Zgjedhor, në realizimin e zgjedhjeve të 2009-s, pavarësisht kufizimeve të mëdha kohore, ka përgatitur dhe administruar zgjedhjet e 2009-s me profesionalizëm, si dhe ka ndërmarrë një sërë hapash për rritjen e transparencës së procesit zgjedhor”, - shkruhet në këtë projektrezolutë. Më tej, në të Kuvendi i kërkon KQZ-së: “Përgatitjet për zgjedhjet vendore të 2011-s, me qëllim realizimin e tyre në përmbushjen e standardeve. Përpunimin e akteve nënligjore në kompetencë të KQZ-së, në përputhje me rekomandimet e dhëna nga raporti përfundimtar i zgjedhjeve i OSBE-ODHIR-it. Raporti përfundimtar i OSBE-ODHIR-it për zgjedhjet e 2009-s të përbëjë dokument dhe një plan-veprimi për të përmirësuar të gjitha ato aspekte të veprimtarisë së KQZ-së, për të cilat është kërkuar përmirësim”, - shkruhet në projektrezolutën e Komisionit të Ligjeve.

Tahiri: “KQZ-ja fsheh përgjegjësit kryesorë të manipulimit të zgjedhjeve”

Deputeti: “Alternativa demokratike e mbetur e opozitës është protesta në çdo cep të vendit”

PS: Protestat ndalen kur Berisha t’i hapë rrugë hetimit të zgjedhjeve të qershorit

Eneida Jaçaj

Në këtë situatë të tensionuar politike, duke u përpjekur për të mos nxjerrë përgjegjësit kryesorë të krimit elektoral të 28 qershorit, ka qenë jo vetëm maxhoranca, por edhe partizanët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky është qëndrimi i deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, i cili ka kritikuar KQZ-në se është përpjekur të fshehë kokën si struci për manipulimin e evidentuar më së miri tashmë, ashtu siç lëvdon hajduti hajdutin për vjedhjen e suksesshme. Në këto kushte, Tahiri ka pohuar se e vetmja alternativë demokratike e mbetur e opozitës është protesta në çdo cep të vendit, deri në zyrën e kryeministrit. Ai theksoi se kjo protestë do të ndalet atëherë kur kryeministri Sali Berisha dhe maxhoranca do t’i nënshtrohen ligjit për t’i hapur rrugë hetimit të zgjedhjeve dhe të gjitha skandaleve të tjera që mbajnë peng zhvillimin e vendit.
Deklarata
Deputeti Tahiri deklaroi se kryeministri Berisha është i vetmi që nuk është i interesuar për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Sipas tij, Berisha ka përfituar nga shkelja e standardeve zgjedhore dhe manipulimi me votën e zgjedhësve, ndërkohë që shumica e shqiptarëve ka humbur për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit. “Kur janë mbushur thuajse 9 muaj nga manipulimi i zgjedhjeve, me gjithë kërkesat e opozitës dhe të partnerëve ndërkombëtarë, maxhoranca dhe qeveria e Sali Berishës jo vetëm ka dështuar me kokëfortësi antikushtetuese çdo përpjekje për të bërë transparencën e zgjedhjeve, e duket se po duket se aborton që në nisje çdo alternativë për të zgjidhur krizën e shumëfishtë në vend, e bashkë me të edhe shanset për zgjedhje të lira e të ndershme në të ardhmen”, - u shpreh Tahiri, duke shtuar se “në këto 9 muaj është bërë e qartë për opinionin publik dhe partnerët ndërkombëtarë se zgjedhjet e 28 qershorit ishin një dështim për shkak të manipulimit me votën e qytetarëve, se Parlamenti duhet të hetojë procesin zgjedhor në themel, në mënyrë të plotë dhe shteruese dhe se mbetet ende domosdoshmëri absolute garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme në të ardhmen”.
Kriza ekonomike
Kryeministri Berisha dhe maxhoranca e tij kanë hedhur poshtë çdo përpjekje ligjore të opozitës për transparencë edhe në një kohë kur kriza ekonomike ka pllakosur vendin. Ndërkaq, Tahiri tha se kjo maxhorancë deri tani ka shkelur me dhunë të gjitha alternativat për të zgjidhur krizën, duke i bërë karshillëk jo vetëm opozitës dhe partnerëve ndërkombëtarë, por edhe çdo qytetari të ndershëm në këtë vend. “Maxhoranca ka shkelur me dhunë të gjitha alternativat në një kohë kur ekonomia është fundosur në krizë, kur familjet shqiptare janë zhytur në borxhe, kur çmimet janë katapultuar në maksimum e ku varfëria po grabit të ardhmen dhe shpresën e shqiptarëve; në një kohë kur korrupsioni me kostum e kollare gllabëron miliona euro që duhet të shkonin për interesin e qytetarëve e jo për xhepin e qeveritarëve, e kur ata që kapen në flagrancë nga Drejtësia dhe shoqëria mbrohen nga qeveria me imunitet familjar e ministror, Sali Berisha mburret për arritje e suksese të paqena”, - u shpreh Tahiri.

31 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›