E Diel, 1 Nëntor 2026

Fyle nga Brukseli: “Zgjidhni krizën politike, pa dialog nuk ka integrim në BE”



Kriza politike në Shqipëri vazhdon të mbetet një ndër pengesat parësore për proceset integruese të vendit. Komisioneri europian për Zgjerimin, Stefan Fyle, ka reaguar sërish dje nga Brukseli duke i drejtuar një tjetër apel politikës shqiptare për të zgjidhur krizën politike në vend. Fyle është shprehur se pa zgjidhur krizën dhe pa rivendosur dialogun institucional, nuk ka integrim në Bashkimin Europian. Ai ka shprehur shqetësimin për stabilitetin e institucioneve demokratike dhe për funksionimin e tyre. Sipas komisionerit Fyle, është shqetësues fakti që në Shqipëri mungon dialogu parlamentar.
Apeli
“Mesazhi im për Tiranën është shumë i qartë. Së pari unë shpreha vlerësimin tim për progresin që është bërë: Shqipëria është bërë anëtarë e NATO-s dhe Këshilli i Europës i ka kërkuar Komisionit Europian të përgatisë opinionin për këtë vend. Por, gjithashtu, vë theksin në rëndësinë e kritereve të Samitit të Kopenhagenit që e detyrojnë politikën të zgjidhin krizën. Unë shpreh shqetësim për stabilitetin e institucioneve demokratike dhe mungesës së dialogut në Parlament. Theksoj rëndësinë e kësaj. Sigurisht, të gjitha ligjet janë miratuar këtu, dhe nuk do të ketë reforma pa miratimin e legjislacionit përkatës.
Shumë gjëra janë në duar të shqiptarëve dhe unë shpresoj shumë që ato do të bëjnë progres dhe do të tregojnë se kanë një demokraci të maturuar. Përgjegjësia bie mbi dy partitë politike, mbi partinë në pushtet dhe mbi opozitën”, - është shprehur Fule.
Qëndrimi
Në një intervistë dhenë Dojçe Veles, Fyle ka komentuar perspektivën europiane të vendeve të rajonit të Ballkanit. Sipas tij, të gjitha vendet e Ballkanit kanë detyra shtëpie për të bërë deri në fillimin e negociatave. Por ai thekson se perspektiva europiane është e ndarë për secilin vend, veç e veç, në Ballkanin Perëndimor. “Unë mendoj se ne jemi në një fazë ku të gjithë kanë ende për të bërë disa detyra të shtëpisë. Dhe në veçanti në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vështirë se mund të gjeni dy vende që janë në pozitë të njëjtë, edhe pse Komisioni aktualisht është duke përgatitur një vlerësim dhe gjithashtu rekomandimet për Këshillin Europian, që më vonë të fillojnë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Malin e Zi. Kroacia ka bërë përparime fantastike në muajt e fundit dhe kroatët tani janë në fazën përfundimtare. Por kjo nuk do të thotë se hapi i fundit do të jetë i lehtë. Ne shpresojmë gjithashtu shumë se do të jemi në gjendje për të filluar negociatat edhe për pranimin e Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë. Vendi ka bërë përparime fantastike vitin e kaluar, prandaj Komisioni i ka rekomanduar në fund të vitit të kaluar Këshillit Europian për të filluar bisedimet e pranimit. Dhe unë shpresoj që kohën e mbetur deri në fund të presidencës spanjolle, qeveria maqedonase dhe qeveria greke do ta shfrytëzojnë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e emrit. Zgjidhja e kësaj çështjeje do t’u mundësonte shteteve anëtare që të japin dritën jeshile. Dhe ka rëndësi që këto vende të mos lihen jashtë. Mendoj se vendet anëtare janë shprehur qartë se perspektiva europiane është e ndarë për secilin vend, veç e veç, në Ballkanin Perëndimor. Pra, ne duhet të gjejmë rrugën për të ndihmuar Bosnjë-Hercegovinën, për të mos mbetur një shtet i dobët në hapësirën europiane dhe gjithashtu të shikojmë se si të angazhohemi në Kosovë”, - është shprehur Fyle.

Stefan Fyle në intervistë ekskluzive për “Albania”-n: “Është brengosës bllokimi politik”

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Albania”, komisioneri europian për Zgjerimin, Stefan Fyle, u shpreh se “bllokimi politik i muajve të fundit është brengosës”. Drejtuesi i procesit të zgjerimit në Komisionin Europian tha se për të gjetur zgjidhjen e krizës politike duhet të kontribuojnë të gjithë. “Të gjitha palët politike duhet të kontribuojnë për të siguruar funksionim të vazhdueshëm të aktivitetit parlamentar, i cili do të çojë në miratimin e reformave të nevojshme politike”, - tha për gazetën z. Fyle. Ai ka përsëritur edhe njëherë apelin për reforma në vend, duke theksuar se anëtarësimi i secilit shtet nga rajoni i Ballkanit nuk është i përcaktuar në data fikse, por në meritat që arrin çdo shtet për zbatimin e kushteve të përcaktuara. Po ashtu, zoti Fyle deklaroi se vizat do të liberalizohen gjatë vitit 2010, duke paralajmëruar se vendimi do të merret deri në muajin qershor dhe fundi i tij do të shënojë mbylljen e procesit të plotë, duke u ofruar mundësinë shqiptarëve që të udhëtojnë lirshëm. “Mendoj se kjo duhet t’u bëhet e qartë qytetarëve të Shqipërisë për të shmangur keqkuptimet, pasi është garantuar liberalizimi i vizave”, - përfundon komisioneri për Zgjerimin intervistën e tij për “Albania”-n.

Shkurt

Topi takon raportuesin e PE-së: “Kam besim se kriza do të zgjidhet shpejt”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me raportuesin për Shqipërinë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, zotin Nikolaos Chountis, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë. Pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë dhe shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme të Parlamentit Europian për forcimin dhe mirëfunksionimin e demokracisë në Shqipëri, Presidenti i Republikës theksoi vullnetin për vazhdimin e reformave dhe arritjen e standardeve me synim përmbushjen e aspiratës së gjerë popullore për t’u integruar në gjirin e familjes europiane.
Në këtë kuadër, kreu i shtetit shqiptar bëri një përshkrim të situatës së përgjithshme në vend, ku vlerësoi rivendosjen e dialogut politik mes opozitës dhe maxhorancës dhe shprehu optimizmin për kapërcimin sa më të shpejt të ngërçit politik.
Presidenti Topi shprehu besimin se shumë shpejt do të mund të merren dy vendime të rëndësishme për vendin tonë, ai i hartimit të Opinionit të Komisionit Europian dhe vendimit për marrjen e statusit të vendit kandidat, si dhe ai i përmbylljes me sukses të procesit të liberalizimit të vizave. Në këtë kuadër, kreu i shtetit vuri në dukje angazhimin për përfundimin e dorëzimin në kohë të Pyetësorit të BE-së, duke shprehur bindjen se të gjitha vendet e rajonit ballkanik do të bëhen pjesë së shpejti e Bashkimit Europian.
Presidenti i Republikës dhe europarlamentari grek, zoti Chountis, pasi vlerësuan si shumë të mira dhe miqësore marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndanë të njëjtin mendim se dialogu politik dhe konstruktiv mes vendeve ballkanike jep garanci për stabilitet dhe zhvillim ekonomik. Gjithashtu, presidenti Topi, duke e vënë theksin te rëndësia e veçantë që ka për shqiptarët liberalizimi i vizave me Bashkimin Europian, shprehu besimin në një vendim pozitiv dhe në realizimin me sukses të këtij procesi bashkëpunimi. Zoti Chountis, pasi vlerësoi rolin moderues dhe objektiv të presidentit Topi për rifillimin e dialogut politik dhe zgjidhjen e ngërçit politik në vend, theksoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria politike në përmbushjen e kritereve integruese të Shqipërisë. Duke folur për situatën në rajon, zoti Chountis u shpreh se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE i shërben jo vetëm vendeve të rajonit, por edhe përmbushjes së misionit të Bashkimit Europian për rritjen dhe konsolidimin e paqes, demokracisë dhe stabilitetit të të gjithë Europës.

31 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›