Edi Rama, strategji politike për të zvarritur mosvotimin e imunitetit deri në vjeshtë
Shto ujë e shto miell.
Nuk është një recetë gatimi por një strategji politike e përzgjedhur prej Partisë Socialiste për të zvarritur votimin e kufizimit të imuniteteve përtej ditës së nesërme deri në vjeshtë. Me dy dalje të ndryshme për mediat, Blendi Klosi dhe Pandeli Majko, deputetë të opozitës kanë deklaruar se PS-ja është “pro” kufizimit të imunitetit por kërkon të “shtojë” në tryezë edhe çështje të tjera në ndryshimin e Kushtetutës.
I ndryshkur në shqiptim dhe thellësisht i emocionuar, sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi deklaroi se PS-ja kërkon, “krahas ndryshimit të kushtetutës për të kufizuar imunitetin, të diskutojmë edhe për ato ndryshime që sigurojnë pavarësinë e drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit dhe çrrënjosjen e kulturës së pa ndëshkueshmërisë”.
Sipas tij, PS-ja e do drejtësinë e pavarur, ndonëse deputeti Klosi paska harruar se shefi i tij, Edi Rama, e pati deklaruar faqe botës se “drejtësinë në Shqipëri të vdekur” (8 korrik, 2011)... I bie kështu që Blendi Klosi të këkrojë “pavarësi” për diçka “të vdekur”.
Megjithatë për çështjen e heqjes ose kufizimin e imunitet për parlamentarët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë (KLSH, Avokat i Popullit, etj.), ka pothuajse një dekadë që është debatuar e konsultuar në Parlament, në komisione ligjore, në tryeza kombëtare e ndërkombëtare për drejtësinë, me ekspertizë të konstitucionalistëve vendas e ekspertë të misioneve të BE-së, “Paca” dhe “Euralius” dhe nuk po votohet në Kuvend. Ndërsa partia Socialiste e cila refuzon prej dhjetë vitesh të miratojë ndryshimin Kushtetues për heqjen e imunitetit kërkon me patjetër të “shtojë” në këtë fazë përfundimtare të procesit tjetër “miell” në tryezën e gatimit politik për të ngurtësuar pozicionet palëve.... Aq sa debati ka shkuar deri në pikën finale të vlimit: kush nuk e do statusin e vendit kandidat në BE?
Përtej kësaj mund të quhet paranojë politike e lidershipit të opozitës moslejimi i deputetëve të votojnë me 6 gusht draft-ligjin që ka brenda 90 për qind të propozimeve të tyre. Propozimet e relatorit Majko për të garantuar deputetin, gjyqtarin dhe zyrtarin e nivelit të parë nga abuzimet e njëanshme janë pranuar pikë për pikë në draft. Ndaj “kërkesat” e reja të PS-së për ndryshime të tjera kushtetuese, që kërkojnë një kohë të gjatë diskutimesh dhe peshimesh të urta, synojnë ta shtyjnë në “kalendat greke” arritjen e përmbushjeve të rekomandimeve të BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ndryshimi Kushtetues për “kufizimin e imunitetit” për komunitetet e interesuara do ishte sigurisht një hap i rëndësishëm në nxitjen e luftës kundër korrupsionit dhe do të kishte efektin e rritjes së përgjegjësisë së funksionarëve të lartë të shtetit me pasojën e nevojshme të transparencës publike. Kërkesat e opozitës për ndryshime të gjëra e të thella në Kushtetutë me qëllimin, sipas tyre, të pavarësisë së drejtësisë në shtator me konsultime të nxituara do të shpërfytyronin ligjin themeltar të shtetit në një kohë rekord.
Afërmendsh amendamentet Kushtetuese të miratuara së bashku në këshillin e Legjislacionit kanë kuptim të votohen në seancës e parashikuar të ditës së nesërme (6 gusht), në mënyrë që të sjellë dhe efektin e përmbushjes së njërit prej 12 rekomandimeve e për pasojë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Nëse nuk realizohet votimi në këtë datë, atëherë procedura duhet filluar nga e para, që minimalisht e shtyn çështjen jo më afër se muaji tetor.
Gjithsesi edhe nëse votohet amendamenti por nuk merr 94 vota, atëherë kjo çështje mund të shtrohet për votim vetëm pas një viti. E nëse partia Socialiste këmbëngul që votimi i imunitetit të bëhet me votimin e çështjeve të tjera kushtetuese (emërimi i Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, si dhe Kryeprokurorin e Republikës me një “pazar” politik, pra, kthimin në situatën bllokuese të 84 votave), atëherë kjo do të thotë që ai kërkon të bëhet një Kushtetutë e re.
Pak a shumë një gjë të tillë e konfirmoi edhe Pandeli Majko në një prononcim për mediat, i cili tha se “mund të ofrohen mendime dhe opinione të ndryshme për logjikat e një referendumi te nesërm kushtetues”. Por dhe ky propozim për referendum Kushtetues është pjesë e strategjisë “shto ujë e shto miell” për ta bërë sa më të pagëlltitshme për qytetarët gjellën politike sepse ish-kryeministrit Majko duhet të dijë mirë se s’mund të ketë referendum nëse jemi një vit përpara zgjedhjeve parlamentare. Ndaj dalje të tilla publike më shumë sesa të zgjidhin çështjen e ngatërrojnë më shumë.
Padyshim, PS-ja kërkon jo vetëm të kushtëzojë marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, por jo drejtpërdrejt po dërgon mesazhin Brukselit se Shqipërisë edhe nëse i jepet statusit për meritë reformash ajo duhet të “kushtëzohet” sipas modelit të Malit të Zi. Në këtë mënyrë “kushtëzimi” që i intereson Ramës është që të zhvlerësohet “bonusi” i padiskutueshëm elektoral i mazhorancës Berisha II. Por interesat e ngushta të justifikuara me motive të dobëta e nxjerrin opozitën dhe kreun e PS-së të papranueshëm e të papërgjegjshëm në sytë e qytetarëve.