E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama, i frikësuar nga rezultatet e mazhorancës – po bllokon marrjen e statusit”

05-08-2012 / Gazeta 55

Flet deputeti i Partisë Demokratike, Dash Sula
 
“Edi Rama e ka vetëm një qëllim, që Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat në muajin tetor. Është zoti Rama që frikësohet ndaj rezultateve dhe sukseseve të qeverisë Berisha me aleatët e saj, duke filluar që nga anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave apo tani me marrjen e statusit të vendit kandidat”. Ky është sipas deputetit të PD-së, Dash Sula, qëllimi i vërtetë i bllokimit të miratimit të heqjes së imunitetit nga ana e Edi Ramës. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “55”, deputeti Dash Sula, anëtar i Komisioni Parlamentar të Ligjeve, shpjegon rëndësinë e kufizimit të imunitetit për parlamentarët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë, qëndrimin refraktar të Partisë Socialiste dhe kreut të saj Edi Rama, si edhe pse PD-ja këmbënguli për votimin e hapur në Kuvend, a do të arrihet të përmbyllen reformat integruese përpara tetorit...

Partia Socialiste ke deklaruar se do të jetë në Kuvend me 6 gusht, por s’do ta votojë draftin e kufizimit të imunitetit për parlamentarët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë. Si lexohet ky qëndrim refraktar i opozitës? A do të ketë një fund “të lumtur” kjo histori jo e shkurtër?
Në radhë të parë dua të shpreh keqardhje si politikan, por edhe si qytetar i Republikës së Shqipërisë që qëndrimi i Partisë Socialiste apo grupit parlamentar të opozitës, por dhe i vetë zotit Rama është një qëndrim për të ardhur keq, që krijon një situatë të pakëndshme për të gjithë qytetarët shqiptar duke pasur parasysh rrjedhën e debateve që kanë shoqëruar çështjen e imunitetit. Në radhë të dytë, nëse do të bënim një kronologji të debateve për heqjen e imunitetit do të konstatojmë se kemi një dekadë që flasim për të. Në Shqipëri imuniteti është i ngurtë, hermetik, i cili nuk e gëzon asnjë parlamentar apo përfaqësues i ekzekutivit apo legjislativit të ndonjë vendi europian. Historia e imunitetit në kohët moderne e ka bazën dhe rrënjën në sistemin anglosakson, ku parlamenti i asaj kohe mbrohej prej ndërhyrjeve të mbretit. Ndonëse po prej asaj kohe deri në ditët e sotme të gjithë përfaqësuesit si anëtarë të parlamentit britanik nuk kanë kurrsesi imunitet për sa i përket hetimeve penale, por kanë imunitet vetëm për proceset civile. Në shekullin e XX-të pas Luftës së Dytë Botërore deri më ditët e sotme ku të gjitha teoritë dhe zhvillimet e debateve për imunitetin tregojnë se ajo tashmë konsiderohet si anakronike, jashtë çdo lloj logjike të zhvillimit të kushtetutave moderne. Imuniteti në shumicën e vendeve nuk ekziston me përmasa kaq të mëdha dhe të fuqishme që funksionon në vendin tonë. Është për të ardhur keq që pas 22 vjetësh në demokraci nuk kemi arritur që të kufizojmë apo të heqim imunitetin parlamentarëve apo zyrtarëve të lartë të administratës publike.

Ju keni pasur një eksperiencë të gjatë si prokuror dhe sot jeni anëtar i Komisionit të Ligjeve. Sipas jush, drafti i përbashkët për kufizimin e Imunitetit, a e ndihmon punën e prokurorisë për të luftuar korrupsionin?
Shumë sinqerisht nga përvoja apo eksperienca ime 15 vjeçare në organin e prokurorisë, që është organi i vetëm i ndjekjes penale, them se ajo i ka duart e lidhura me zinxhir se pse nuk mund të hetojë qoftë edhe një indicie sado të thjeshtë për ndonjë vepër penale të kryer nga një person me imunitet. Me një shembull: Nëse del një e dhënë sado e vogël që një person me imunitet, që mund të jetë i implikuar ose mund të ketë të dhëna paraprake që ky person ka shkelur ligjin, prokuroria në këtë çast ndalon çdo lloj veprimi sepse s’ia lejon ligji. Pse e them këtë situatë hipotetike, se më të vërtetë Partia Socialiste aludon, që sa herë është kërkuar nga organi i prokurorisë të hiqet imuniteti parlamentarëve apo zyrtarëve të lartë të administratës shtetërore ajo është hequr. Por duhet të kemi të qartë se organi i prokurorisë mund të kryejë hetime për një qytetar të thjeshtë, ndërsa këtë gjë nuk mund ta bëjë kurrsesi ndaj atij që ka imunitet. Janë dy gjera të ndara. Pra, që të zbulosh një vepër penale duhet të kesh hetime paraprake, të grumbullohen prova dhe fakte, të cilat bëjnë të mundur që organi i prokurorisë të ngrejë një akuzë. Por, ne, parlamentarët apo zyrtarët e lartë kemi një imunitet të ngurtë që na jep një privilegj të jashtëzakonshëm.

Duke përkufizuar atë që ju thatë, pra, mund të ndodhë që personat me imunitet (ministra, deputetë, gjykatës të gjykatës së Lartë apo saj Kushtetuese, zyrtarët të tjerë) e shkelin ligjin pa pasur frikë nga pasoja e ndjekjes penale. Ndërsa drafti i propozuar në parlament parashikon që imuniteti të jetë “profesional”, që do të thotë se zyrtari i lartë, gjyqtari apo parlamentari nuk mban përgjegjësi për kryerjen e detyrës funksionale si i zgjedhur. A mendoni se me kufizimin e imunitetit ndaj këtyre kategorive do të nxitet lufta ndaj korrupsionit dhe rritet transparenca publike?
Aktualisht me kushtet dhe rrethanat që jemi sot organi i hetimit është i penalizuar dhe nëse do të vazhdojë kjo situatë e pasjes së imunitet asgjë nuk do të ndryshojë. Përkundër të gjitha aludimeve që bën PS-ja se organi i prokurorisë nuk ka pengesë për ushtrimin e hetimeve nuk është e vërtetë. Megjithatë dua të jem i qartë: nga pikëpamja politike PD-ja ka kërkuar gjithmonë heqjen e imunitetit edhe përpara 2005, para ardhjes në pushtet, kur unë isha prokuror, dhe ne si trupë e prokurorisë së përgjithshme e kemi mirëpritur me entuziazëm një iniciativë të tillë. Zoti Berisha në vitin 2003 duke qenë dhe kryetar i opozitës ka kërkuar të këtë kufizim/heqje imuniteti të parlamentarëve. Ndonëse një gjë e tillë nuk u realizua me pengesë të mazhorancës së atëhershme dhe opozitës së sotme (PS). Po kështu, në 2006 dhe në 2007 kemi pasur një iniciativë politike për heqjen imunitetit, ku morëm modelin e Bundestagut gjerman, ku trupa parlamentare e këtij vendi në çdo fillim legjislature dorëzon vullnetarisht imunitetin nëse ka akuza për shpërdorim detyre apo korrupsionin, etj., vepra të kësaj natyre. Kjo ka qenë e mbështetur në nenin 67 të ligjit themeltar të shtetit gjerman dhe në nenin 107 të rregullores së Bundestagut gjerman. Po ju them se imuniteti sot, neni 73, pika 2, është hermetik. Nga pikëpamja profesionale të mos harrojmë se kemi dhe një Kod të Procedurës Penale që neni 187, 188, 189, të cilët e ndalojnë në mënyrë kategorike, se pa një autorizim të parlamentit, çdo lloj veprimi ndaj një personi me imunitet. Ndërsa nga pikëpamja politike, të jeni të sigurtë që PS-ja nuk e dëshiron një gjë të tillë dhe konkretisht nuk e dëshiron zoti Rama.

Sipas jush përse nuk e dëshiron Edi Rama heqjen e imunitetit për deputetët e tij, edhe pse ai vetë nuk është i mbrojtur nga imuniteti? A mund ta shtjelloni këtë pikë, ku dallon PD-ja dhe grupi i saj parlamentar nga qëndrimet e kreut të opozitës?
Në lidhje me pyetjen e parë, ju them se zoti Rama nuk e dëshiron heqjen e imunitetit sepse kërkon që personat që ka në grupin e tij parlamentar do ti mbajë të lidhur pas problemit të imunitetit. Dhe këto persona që përfaqësohen në grupin parlamentar të partisë Socialiste dhe të opozitës të jenë të privilegjuar pranë zotit Rama. Ndërsa i gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe vetë zoti Berisha kemi tentuar edhe ta lemë në mënyrë vullnetare imunitetin. Pyetja është përse zoti Rama trembet nga imuniteti kur është në opozitë se pse opozita nuk ka vendimmarrje në ekzekutiv. Përkundër kësaj, kjo mazhorancë nuk tenton të abuzojë me heqjen e imunitetit ndaj opozitës. Dhe argumenti 100 për qind i saktë është se, ne, kemi sot në Bashki të qyteteve të mëdha apo komuna të vogla, në vend që administrohet nga përfaqësues të opozitës dhe nuk ka asnjë rast të abuzimit të pushtetit të sotëm, të kësaj mazhoranca ndaj përfaqësuesve të opozitës, të cilët kryejnë detyrën e vendimmarrjes lokale. Pra, argumenti i opozitës që zoti Berisha kërkon të na heqë imunitetit, që pastaj të na godasë me një sulm nuk qëndron kurrsesi. Zoti Rama e ka vetëm një qëllim, që Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat në muajin tetor. Është zoti Rama që frikësohet ndaj rezultateve dhe sukseseve të qeverisë Berisha me aleatët e saj, duke filluar që nga anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave apo tani me marrjen e statusit të vendit kandidat. Kemi pasur 7 vite reforma të ndryshme dhe gjërat kanë shkuar drejt progresit në sajë të punës së kryeministrit Berisha dhe mazhorancës qeverisëse me aleatët e saj.
 
Për arritjen e një drafti konsensual Partia Demokratike pranoi në masë jo të vogël propozimet e Partisë Socialiste. Ndonëse në një pikë PD-ja mbajti një qëndrim të vendosur ishte që, në një rast hipotetik, për autorizimin e arrestit apo kontrollit personal, ose të banesës së deputetit parlamenti të ketë një votim të hapur dhe jo të fshehtë siç pati kërkuar PS-ja. Pse kjo këmbëngulje në votimin e hapur?
Kjo nuk ka pse të shqetësojë askënd. Votimi i hapur është një nga votimet më demokratike dhe një trupë parlamentare e përgjegjshme duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tyre. Për votimet e fshehta gjithmonë i kam parë si një jo sinqeritet dhe një sjellje dyshuese të disa deputetëve të caktuar. Nëse kemi një votim për një anëtar të parlamentit votimi i hapur për një deputet që ka shkelur ligjin dhe ka prova ne nuk duhet të kemi frikë ose turp për hequr imunitetin.
 
Një pyetje e fundit. Data 6 gusht afroi me shpejtësi, po kështu dhe muaji tetor ku Shqipëria do të ketë një “provim”, që nëse kalohet pritet marrja e statusit të vendit kandidat. Heqja e imunitetit është një pyetje e këtij provimi... A do të përmbyllen reformat integruese në kohë? Nëse “jo”, a ka përgjegjësi?
Kam një bindje për Partinë Socialiste Edi Rama nuk është i përgjegjshëm ndaj fateve të këtij vendi. Dhe kjo do të ishte fatkeqësi. Ai kryen veprime të çaste të pamenduara. Ndaj një ditë vjen dhe bëhet pishman më shumë se një herë për sjelljen e tij politike. Ai ka një dallim thelbësor me zotin Berisha. Ky i fundit ka një sjellje të njëtrajtshme në politikën dhe qëndrimet të tij mund të thuhet pa patetizëm se është një politikan “qiellor”, ndërsa Rama mendoj se është një politikan që ecën me hapin e breshkës në tokë. Ai nuk e njeh realitetin shqiptar. Falë zotit Basha, që me aleatët e PD-së e nxorën nga kafazi i Bashkisë Tiranë, ku zoti Rama njihte vetëm bulevardin dhe zyrën e tij dhe e bënë që të njihej me fatet dhe hallet e qytetarëve. Është për të ardhur keq që ai vazhdon të kontestojë çdo reformë. Të mos harrojmë se jemi në vitin e fundit përpara zgjedhjeve parlamentare të 2013 dhe se marrja e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për BE nuk i përket vetëm zotit Rama apo zotit Berisha, nuk na përket ne si politikanë, por i përket të gjithë qytetarëve shqiptarë. Mendoj në tërësi se politika duhet të jetë e përgjegjshme ndaj fateve të vendit dhe qytetarëve të saj. Mendoj se një ditë historia do t’i gjykojë sjelljet e atyre që i vendosin shkopinjtë në rrota reformave integruese.
Intervistoi Lavdrim Lita

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›