Bllokohet Tirana, shiu përmbyt rrugët, s’funksionojnë kanalizimet
• Rrugë me megapellgje të pakapërcyeshme, garazhe pallatesh të mbushura me ujë e sheshe të pakalueshme. Kanë mjaftuar vetëm pak orë reshje të dendura shiu e Tirana është përmbytur.Niveli i reshjeve i ka kaluar të 29 mm. Për shkak të mungesës së kanalizimeve në pjesën më të madhe të akseve të kryeqytetit, këmbësorët kanë hasur dje jo pak vështirësi. Uji u ka mbërritur deri në gju për t'u hedhur nga një trotuar në tjetrin. Më problematike është paraqitur situata tek rruga "Komuna e Parisit" ku gjatë mesditës kalimi i bë thuajse i pamundur dhe një pjesë e garazheve të pallateve të zonës u mbushën me ujë. Veç tyre janë dëmtuar nga uji i tepërt edhe disa prej dyqaneve të ngritura në pjesën e bodrumeve, si parukeri, apo minimarkete. Përmbytje të pjesshme ka pasur edhe në rrugën "Mine Peza" tek "Don Bosko" e tek rruga "Qemal Stafa". Por ajo që të vriste disi syrin dje ishte unaza e cila, ndonëse është një rrugë tërësisht e re pellgjet e stërmëdha me ujë i kishte përgjatë gjithë sipërfaqes së saj. Shkarkimi në disa prej pusetave të rrugës nuk bëhej fare. Në bulevardin e Kuq u ripërsërit për të disatën herë i njëjti rit. Pllakëzat e vogla për të cilat është dhënë aq shumë garanci kërcyen sipër, në pritje të punëtorëve që do t'i venë në vend sapo shiu të pushojë. Për shaka të vërshimit të reshjeve, uji ka hyrë në disa prej shtëpive në zonën e Farkës. Ura që lidh Farkën me rrugën nacionale Tiranë-Elbasan, është e pakalueshme. Disa automjete që janë përpjekur të kalojnë në këtë aks kanë mbetur të bllokuar, pasi depërtimi ka qenë i pamundur. Situata e djeshme është favorizuar edhe nga era e fortë e cila ka rritur intensitetin e reshjeve të shiut. Sipas specialistëve të shërbimit të meteorologjisë, moti i paqëndrueshëm do të na shoqërojë përgjatë gjithë kësaj jave.