E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakultetet, Formulari A2 do të plotësohet në maj

• Formulari A2 do të jetë në duart e maturantëve pas datës 20 prill, ndërsa plotësimi i tij do të bëhet në maj.zirina llambroKëtë bën me dije Ministria e Arsimit, duke hedhur poshtë pretendimet, se ky formular do të niste të shpërndahej në shkolla në fillim të muajit që vjen. "Sipas rregullores së Maturës Shtetërore 2008 afati i plotësimit të Formularit A2 nuk mund të fillojë para datës 20 prill 2008, që është edhe afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve të kandidatëve që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit", sqaron zyra e shtypit të MASH. Sipas këtij dikasteri pas kësaj date do të bëhen publike afatet e plotësimit të Formularit A2. Ai do të përmbajë të gjithë degët e universiteteve publike nga të cilat kandidati, sipas sistemit Meritë-Preferencë, duhet të zgjedhë 10 degë të universiteteve ku ai preferon të kryejë studimet e larta. MASH pohon gjithashtu se kjo kohë relativisht e gjatë për plotësimin e Formularit A2 u vihet në dispozicion maturantëve në mënyrë që ata të marrin vendimin e duhur dhe të menduar mirë para se të bëjnë zgjedhjet e tyre për të vazhduar studimet e larta. "Formulari A2 është menduar të plotësohet në muajin maj, pasi maturantët njihen me të gjithë të dhënat e Maturës Shtetërore, programet orientuese, koeficientet, testet-model, apo marrin pjesë në seminare të organizuara për Këshillimin e Karrierës", sqaron MASH. Vitin e kaluar afati për të plotësuar A2-in ka qenë në fillim të muajit qershor 2007. Disa ditë më parë Agjencia e Provimeve dhe Arritjeve të Nxënësve bëri me dije për të gjithë maturantët se ka botuar modele testesh në buletine të veçanta tek të cilat maturantët mund të bazohen për t'u përgatitur për provimet e Maturës Shtetërore. Në disa prej tyre janë përfshirë edhe përgjigjet e skema e vlerësimit. Në këtë mënyrë të gjithë ata që do të japin provimet e maturës do të kenë një ide të qartë për mënyrën sesi do të hartohen testet. Buletinet përkatëse kanë nisur të shpërndahen falas në shkolla. Gjithashtu sipas udhëzimeve të drejtorive arsimore në muajin prill në shkollat e mesme nxënësit do t'u nënshtrohen provimeve të ngjashme me testet e Maturës Shtetërore. Kjo në mënyrë që të provohen njohuritë e tyre, por edhe të shikohet se ku kanë mangësi. Sa i përket 2 provimeve me zgjedhje, këtë vit skema ka ndryshuar tërësisht. Testi nuk do të ketë me vetëm pyetje me alternativa, por edhe me zhvillim. Nga 100 pyetje që ishin vitin e kaluar testi do të përmbajë vetëm 20 të tilla. Dhjetë pyetjet me alternativa do të vlerësohen me nga 1 pikë ndërsa çdo përgjigje e saktë e atyre me zhvillim do të marrë 3 pikë. Për dy lëndët me zgjedhje numri total i pikëve për të marrë notën maksimale është 80 pikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›