E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkollat, 20% e nxënësve probleme me sytë

• Ndriçimi i dobët në klasat, ku zhvillohet mësimi dhe mungesa e ndërgjegjësimit për të kryer herë pas here një vizitë të syve tek mjekët specialistë ka bërë që jo pak prej nxënësvetë shkollave 9-vjeçare të kenë probleme me shikimin që në moshë të vogël. Të dhënat më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik dëshmojnë këtë fenomen. Sipas studimit, rreth 20% e fëmijëve nga 6-14 vjeç kanë çrregullime pamore. Ndërsa niveli i ndriçimit është 2 herë më i ulët se në vendet e BE. Në analizë janë marrë sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë 13 shkolla 9-vjeçare në 5 qytete të vendit Tirana, Shkodra, Vlora, Korça dhe Elbasani. Përzgjedhja e tyre u bë në mënyrë të rastësishme. Nga specialistët e ISHP u analizuan 506 fëmijë. Për vlerësimin e mprehtësisë së pamjes u përdor tabela me shkronjën U, e vendos në 3 kilometra distancë. Po ashtu specialistët e Shëndetit Publik kanë matur edhe ndriçimin në të gjithë shkollat ku u depistuan nxënësit. Përfundimet e studimit tregojnë se rreth 20 për qind e fëmijëve rezultuan të ishin me mprehtësi të ulët në shikim. Nga ana tjetër nga mosha 6 deri në 14 vjeç nga 5 deri në 10 për qind e fëmijëve kanë probleme serioze me shikimin për shkak të një sërë faktorësh, duke filluar që nga niveli i ndriçimit, defektet e trashëguara dhe përkeqësimi i gjendjes së tyre, pasi prindërit nuk i çojnë për vizita tek mjeku okulist. Sipas mjekëve okulistë, fëmijët duhet të kenë dritë të mjaftueshme për të lexuar dhe për të shkruar, në të kundërt ata rrezikojnë të dëmtojnë shikimin. Ata këshillojnë gjithashtu edhe ruajtjen e distancës nga librat, e cila duhet të jetë minimalisht 30 centimetra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›