E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet aktiviteti i lojërave të fatit

Seksioni i krimit ekonomiko-financiar i Fierit ka ushtruar kontroll në 12 pika, ku ushtrohet aktiviteti i lojërave të fatit. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se katër prej tyre nuk ishin të licencuara. Burimet zyrtare pohojnë se ky aksion është vetëm faza e parë e nismës që është ndërmarrë nga agjentët e antikrimit ekonomik për evidentimin e ambienteve, të cilat ushtrojnë aktivitetin e lojërave të fatit. Pas kontaktimit të subjekteve të palicencuara ndaj pronarëve të tyre, ka nisur procedurimi për veprën penale të "organizimit të lotarive të palejuara", parashikuar nga neni 197 i Kodit të Procedurës Penale. Burime zyrtare nga Drejtoria e Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se ka nisur procedimi penal për akuzën e "organizimit të lotarive të palejuara", ndaj shtetasve Besnik Malaj, 36 vjeç, lindur e banues në lagjen "Kastriot", Edmond Sinanin, 51 vjeç, lindur e banues në lagjen "11 Janari", Berinian Ferko, 30 vjeç, lindur e banues në lagjen "Apollonia", si dhe për Enkeleid Beshollin, 23 vjeç, lindur e banues po në lagjen "Apollonia". Të katër shtetasit drejtonin lokale ku ushtroheshin lojërat e fatit të palicencuara. Po nga këto burime, mësohet se agjentët e krimit ekonomik kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale tetë aparatura elektronike të lojërave të fatit, 22 televizorë plazëm dhe pesë printerë. Ndërsa materialet në ngarkim të katër të proceduarve i janë deleguar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Fierit për vijimin e hetimeve. Aksioni i agjentëve të krimit ekonomik mësohet se ka vijuar në të gjitha lokalet dhe subjektet e territorit të Qarkut të Fierit. Ai do të vijojë dhe në ditët e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›