E Diel, 1 Nëntor 2026

Tronditet dollari, humb 6 cent brenda dy ditëve

Dollari amerikan përjetoi dy ditë shumë të këqija së fundmi, kur Rezervat Federale shpallën se do të ndërhyjnë në treg për të blerë borxhe të vjetra të qeverisë amerikane. Për pasojë, tregjet u shqetësuan veçanërisht për perspektivën e përmbytjes së tregut me dollarë dhe inflacionin që do të prodhohet nga kjo lëvizje. Dollari humbi më shumë se 7 për qind kur kaloi nga kuota $1.27 për euro në fillim të javës në $1.37 dollarë për euro dje. Dita e mërkurë ishte më e keqja që dollari ka hasur që nga themelimi i Euros. Në Tiranë, dollari humbi 3 lekë brenda ditës së djeshme dhe vijon të dobësohet. Sot kushton më pak se 97 lekë.

Ndërhyrja e Rezervës Federale bëri që dollari të humbasë pozicionin si monedhë parajsë ku investitorët mund të strehohen në kohë luhatshmërie të mëdha.

FED dëshiron të blejë 300 miliardë dollarë tituj borxhesh të emetuara nga qeveria, ndërsa shpalli se interesat e dollarit do të mbeten të ulëta "për shumë kohë". Blerja e titujve të borxhit nga banka qendrore nënkupton që më shumë dollarë do të jenë në duart e investitorëve dhe se këto të fundit do të duhet të blejnë asete të tjera amerikane ose ta shesin dollarin në këmbim të monedhave të tjera. Kjo gjë shkaktoi edhe rënien.

Hapi i hedhur nga FED fryn frikën e disa ekonomistëve se bota po përsërit gabimet e Depresionit të Madh, kur politikat monetare hynë në garë se kush do ta ndihmonte më shumë ekonominë e vet në kurriz të pjesës tjetër të botës.

Dollari ishte forcuar vazhdimisht gjatë këtij viti për shkak se investitorët e panë si monedhë më të qëndrueshme se shumë të tjera në kohë krize.

Por shumë ekspertë të tjerë mendojnë se në fund, dobësimi i dollarit është afatshkurtër dhe se në terma afatgjatë, mbetet një ruajtëse e mirë e vlerës. Ndërhyrja e FED në ndihmë të ekonomisë amerikane në këtë mënyrë, besohet se do të japë efekt pozitiv dhe se do të rigjallërojë ekonominë e këtij vendi, gjë që për dollarin, do të konvertohet në forcim.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›