Prill, legalizohet një lagje pa leje
Brenda muajit prill në Kukës do të legalizohen 170 objekte, kryesisht shtëpi banimi dhe biznese, në lagjen e re të Kukësit, që kanë qenë të ndërtuara pa leje. Lajmi konfirmohet nga drejtori i Zyrës së Legalizimeve për rajonin e Kukësit, Zenel Kastrati. Sipas tij, procesi i legalizimeve pritej të ishte finalizuar ditë më parë, por pengesë janë bërë vetë pronarët e ndërtimeve, të cilët hezitojnë të paguajë taksën e truallit. "Ne kemi vendosur të trokasim derë më derë për të nxitur procesin, pasi vetëm duke paguar detyrimin ligjor, që është taksa e truallit, poseduesit e objekteve mund të bëhen me tapi", thotë Kastrati për "Shqip". Më tej, ai shton se zyra e legalizimeve tashmë ka përgatitur studimet urbanistike edhe për zona të tjera informale në Kukës.