Pukë, fshatarët bllokojnë rrugën: Ndalni asgjësimin e municioneve
Banorët e fshatit Tërbun të Pukës kanë zhvilluar dje paradite një protestë paqësore për të kërkuar që pranë fshatit të tyre të mos bëhet asgjësimi i municioneve luftarake. Protesta ka nisur rreth orës 08.30 dhe ka zgjatur deri në orën 11.30. Gjatë gjithë kësaj kohe, banorët e Tërbunit kanë mbajtur të bllokuar rrugën kryesore që lidh fshatin e tyre me qytetin e Pukës. Protestuesit mbanin në duar pankarta, ku i bëhej thirrje qeverisë të ndërhyjë për të bllokuar procesin e asgjësimit të municioneve në zonën e Tërbunit. Një nga protestuesit tha se "një ndër arsyet kryesore të kësaj proteste është fakti që zona e Tërbunit është Park Kombëtar dhe për bukuritë natyrore që ofron dhe ajrin e pastër, nga viti në vit po bën për vete turistë vendas e të huaj. Por që prej një viti, që kur ka filluar të asgjësohen municione, zhurma e frikshme e shpërthimeve ka bërë që turistët të largohen e të mos kthehen më". Turizmi malor është një nga aktivitetet ekonomike ku varen shpresat e banorëve të kësaj zone të varfër, ndaj dhe largimi i turistëve nga frika e shpërthimeve gjatë asgjësimit të kontrolluar të municioneve ka bërë që banorët e Tërbunit të hidhen në protesta. Pas rreth tre orësh, protestuesit janë shpërndarë të qetë, duke kërcënuar se veprimet e tyre për ndaluar asgjësimin e municioneve do të përshkallëzohen. Ndërkohë, në lidhje me këtë protestë, nënprefekti i Pukës tha se "asgjësimi i municioneve është duke u bërë në një territor ushtarak që ka shërbyer si poligon qitjeje dhe ndodhet rreth 8 kilometra larg zonave të banuara dhe 13 kilometra larg rrugës nacionale". Sipas nënprefektit, banorët nuk kanë pse të ndihen të shqetësuar, pasi gjithçka po bëhet e kontrolluar dhe brenda rregullave.