Bllokohet aplikimi për kartat e identitetit në Gjirokastër
GJIROKASTËR - Spostimi i Zyrave të Gjendjes Civile në ambientet e mëparshme ka sjellë shkëputjen e sinjalit të internetit duke bërë që të ndërpritet puna në zyrat e aplikimit për letërnjoftimet biometrike. Asnjë aplikim nuk është kryer në dy ditët e shkuara, megjithëse mjaft banorë janë drejtuar në këto zyra dhe kanë marrë një përgjigje negative. Prefekti Spiro Ksera ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, ndërsa në zyrat e aplikimit punonjësit nuk mund të kryejnë asnjë lloj procedure. Një tjetër problem i vërejtur në procesin e aplikimit janë edhe emrat e personave që nuk jetojnë më, të cilët figurojnë në lista. Ksera përgjigjet se ky është problem kombëtar për aq kohë sa nuk ka një ligj rregullues dhe çështjet duhet të kalojnë më parë në gjykata me kërkesën e vetë qytetarëve.
Ndalohet i riu, dyshohet se shfrytëzonte për prostitucion 22-vjeçaren
Tiranë – Një i ri është ndaluar nga policia me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme kryen dje ndalimin e shtetasit Asllan Gjana, 28 vjeç, lindur në Kukës dhe banuese në Tiranë, pasi akuzohet se shfrytëzonte për qëllim prostitucioni shtetasen V. R., 22 vjeçe, me banim në Tiranë. Policia tha se nga veprimet hetimore rezultoi se 22-vjeçarja është shfrytëzuar nga Gjana për qëllime prostitucioni tek motel “Trandafili”, në afërsi të Doganës. Po sipas policisë, për një periudhë disamujore i ndaluari i siguronte klientët vajzës kundrejt shumave të ndryshme. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 20 000 lekë, dy karta telefoni, dy aparate telefoni celularë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit”, parashikuar nga neni 114 i Kodit Penal. Ndërsa V. R. do të hetohet në liri për veprën penale “ushtrim prostitucioni”, parashikuar nga neni 113 i Kodit Penal.
26 Shkurt 2009