Topi dekreton kryetarin e ri të Akademisë së Shkencave
Presidenti i vendit, Bamir Topi, ka dekretuar paraditen e djeshme kryetarin e ri të Akademisë së Shkencave, Gudar Beqirajn. Sipas Presidentit Topi, Akademia e Shkencave duhet të jetë në funksion të rievidentimit të vlerave kombëtare. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Pallatin e Brigadave, ishin të pranishëm akademikë, personalitete të njohura të politikës, kulturës, artit, etj. Kreu i shtetit shprehu bindjen se prof. Beqiraj, me formimin e tij, do të japë shanse që Akademia e Shkencave të funksionojë me parime të shëndosha në funksion të rievidentimit shumë të kualifikuar të vlerave kombëtare. Presidenti e cilësoi shumë të rëndësishëm reformimin e Akademisë së Shkencave, një proces që, sipas tij, po ndërmerret në kuadër të reformimit të të gjithë jetës arsimore dhe shkencore në Shqipëri. Sipas kreut të shtetit, bota akademike së pari duhet të jetë një botë e papolitizuar, që duhet t’u referohet parimeve të shkencës dhe duhet ta ketë ushqimin e saj nga lidhja me strukturat universitare.
26 Shkurt 2009