E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja në maj, pagat e reja në arsim sipas vjetërsisë

Specialistët bëjnë përllogaritjen, rrogat e mësuesve do të rriten me 14 për qind. Diferencohet rritja për sistemin universitar. Tabela në lekë për të gjithë arsimtarët

Jonida Tashi

Rreth 44 mijë arsimtarët në vend duke filluar nga data 1 maj do të përfitojnë pagat e reja të tyre. Më të privilegjuar nga rritja e pagave do të jenë mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar, rroga e të cilëve do të rritet me 14 për qind. Paga mesatare për mësuesit parauniversitarë do të jetë 460 mijë lekë, ndërsa për pagat e punonjësve të sistemit universitar rritja e pagave do të jetë e diferencuar. Për vitin 2009, buxheti i arsimit është 41 miliardë e 169 milionë lekë dhe investimet do të rriten me 36 për qind. Për arsimin bazë do të shpenzohen 3.2 miliardë lekë dhe për atë të lartë 9.6 miliardë, nga 6.8 që janë shpenzuar vitin e kaluar. Ndryshe nga praktika e ndjekur vitet e mëparshme, për herë të parë qeveria ka vendosur që vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve të hyjë në fuqi në datën 1 maj dhe jo në korrik. Mjekët dhe arsimtarët do të përfitojnë rritjen më të lartë të pagave. Sipas kreut të qeverisë, Sali Berisha, me shtesën që do të bëhet në muajin maj, arsimtarët, mjekët dhe infermierët do të ndiejnë dyfishimin e rrogave. Për sektorin e shëndetësisë, qeveria ka vendosur që pagat të rriten mesatarisht me 12.3 për qind, por niveli i rritjes do të jetë i diferencuar në bazë të pagës. Kurse për sektorin publik, rritja mesatare e pagave do të jetë në masën 10 për qind.
Vjetërsia
Mësuesit e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin do t’i përfitojnë pagat e reja sipas vjetërsisë në punë. Pagat më të larta do t’i përfitojnë të gjithë mësuesit që kanë 25 vite pune në arsim. Kështu, një mësues i arsimit bazë, që ka punuar për 25 vjet në arsim, në maj, përveç pagës aktuale që është 44 300 lekë, do të marrë edhe rritjen prej 14 për qind mbi këtë pagë. Ndërsa një mësues i arsimit të mesëm, që ka po 25 vjet punë në arsim, rroga e të cilit është 47 200 lekë në muaj, do të përfitojë në maj edhe rritjen e re të përcaktuar nga qeveria. Grupi i dytë i arsimtarëve, që do të përfitojnë më shumë nga rritja e pagave, janë ata mësues që kanë 10 vite pune në arsim. Pas këtyre, vjen grupi i tretë dhe i fundit i arsimtarëve që janë mësuesit fillestarë, rroga e të cilëve është pak më e ulët se e mësuesve që kanë vite pune në arsim.
Grupet
Ministria e Arsimit ka përcaktuar kritere të reja për vlerësimin e pagës së arsimtarëve. Sipas udhëzimit të kësaj Ministrie, paga më të larta gjatë këtij viti do të përfitojnë të gjithë mësuesit me diplomë të shkollës së lartë për mësuesi, të cilët japin 30 për qind të ngarkesës mësimore për lëndë të profilit të tyre. Përfitimi mbi pagën për grupin e parë të mësuesve është 11 mijë lekë në muaj. Në grupin e parë të arsimtarëve do të përfshihen edhe mësuesit me diplomë të shkollës së lartë për mësuesi dhe që japin mësim në klasat kolektive të ciklit të parë. Pagë të grupit të parë gjatë këtij viti mësimor do të përfitojnë edhe mësuesit me diplomë të shkollës së lartë për degët Fizikë e Biologji dhe që japin mësim në klasën e pestë, dy mësues për dy klasa. Të gjithë punonjësit mësimorë me diplomë të shkollës së lartë për mësuesi, që japin më pak se 30 për qind të ngarkesës mësimore me lëndë jashtë profilit, do të bëjnë pjesë në grupin e dytë të arsimtarëve. Grupi i dytë i arsimtarëve do të ketë një shtesë mbi pagë më të ulët krahasuar me atë të parin. Sipas vendimit të qeverisë, mësuesit që bëjnë pjesë në këtë grup do të përfitojnë 9 mijë lekë në muaj mbi pagën mujore. Në kategorinë e mësuesve që bëjnë pjesë në grupin e dytë do të përfshihen mësuesit me shkollë të mesme pedagogjike, mësuesit me shkollë të mesme profesionale, ku fitohet specialiteti për mësuesi si dhe punonjësit mësimorë, të cilët kanë mbaruar të paktën dy vite akademike të shkollës së lartë. Mësuesit e tjerë, që nuk bëjnë pjesë në grupin e parë dhe as në të dytin, do të përfitojnë një shtesë mbi pagë më të ulët. Kështu, përfitimi mbi pagë për mësuesit që bëjnë pjesë në grupin e tretë të arsimtarëve do të jetë 7500 lekë në muaj, ndërsa për grupin e katërt 4700 lekë në muaj.

Pagat në arsim sipas vjetërsisë në punë
Mësues të arsimit të mesëm
Fillestar 40.412
Me 10 vite pune 44.249
Me 25 vite pune 47.200
Mësues të arsimit bazë
Fillestar 36.035
Me 10 vite pune 39.035
Me 25 vite pune 44.300

Shtesa mbi pagë sipas vjetërsisë në punë
Shtesa për vjetërsi pune në profil do të përfitohet pasi të plotësohet koha e duhur për të marrë shpërblimin.
Shkalla e tretë
Për të fituar shkallën e tretë të kualifikimit, një mësues duhet të ketë punuar 5-9 vjet në arsim. Mësuesit që e kanë fituar këtë shkallë kanë mundësinë që të përfitojnë një shtesë page në masën 5 për qind, si dhe t’u njihet kualifikimi përkatës.
Shkalla e dytë
Ndërsa për të fituar shkallën e dytë të kualifikimit një mësuesi i nevojiten 10-19 vjet punë. Mësuesit që e kanë fituar shkallën e dytë të kualifikimit kanë mundësinë që të përfitojnë një shtesë page në masën 10 për qind, si dhe t’u njihet kualifikimi përkatës.
Shkalla e parë
Mësuesit që kanë fituar shkallën e parë të kualifikimit, që kërkon mbi 20 vjet vjetërsi pune, kanë mundësinë që të marrin një shtesë më të madhe page që shkon në masën 20 për qind. Po ashtu, edhe kësaj kategorie mësuesish i njihet kualifikimi përkatës.

26 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›