“Ngre spirancën” Grupi i 28-të Detar i Marinës Ushtarake Italiane në Durrës
Durrës - Grupi i 28-të Detar i Marinës Ushtarake Italiane, i dislokuar prej 12 vitesh në Portin detar të Durrësit, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe midis marinave ushtarake të Shqipërisë dhe Italisë, ka “ngritur spirancën” pasi ka përmbyllur me sukses misionin e tij. “Udha jonë e përbashkët do të vazhdojë në aleancën e madhe të sigurisë, në NATO, ku vetëm pak javë e ndajnë Shqipërinë të rreshtohet denjësisht krahas jush dhe të gjitha shteteve të tjera”, - iu drejtua ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, të pranishmëve në ceremoninë e përfundimit të misionit 12-vjeçar të Grupit të 28-të Detar të Marinës Ushtarake Italiane në vendin tonë, të organizuar në bordin e anijes së zbarkimit të trupave “San Giorgio” në Portin e Durrësit. Në këtë ceremoni përmbyllëse merrnin pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes së Italisë, Xhuzepe Kosiga, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Detare Italiane, admiral skuadre, Paolo la Rosa, shefi i Shtabit të Përgjithshëm shqiptar gjen. brig. Maksim Malaj, shefi i Delegacionit Italian të Ekspertëve në Shqipëri, gjen. brig. Aldo Pikoti, si dhe ushtarakë të lartë të të dyja vendeve. Zëvendësministri italian i Mbrojtjes, Xhuzepe Kosiga, vlerësoi arritjet e Forcave të Armatosura Shqiptare, dhe veçanërisht ato të forcave detare. “Përvoja e bashkëpunimit mes ushtrive tona po u shërben forcave të armatosura italiane për bashkëpunimin me vende të tjera të rajonit”, - tha Kosiga. Sipas autoritetit të lartë italian, tashmë misioni italian i forcave detare në Shqipëri quhet i përfunduar, ndërsa vetë Shqipëria përgatitet të jetë pjesë e NATO-s. Grupi i 28-të Detar u krijua më 25 prill 1997 në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe të ndërmarra ndërmjet qeverise italiane dhe asaj shqiptare dhe ishte ndër komandat e para ushtarake italiane që zhvilloi aktivitete operacionale në territorin shqiptar nëpërmjet patrullimit të përditshëm të ujërave të brendshme dhe territoriale me qëllim zhvillimin e një shërbimi vëzhgimi për të parashikuar dhe parandaluar fenomenin e emigracionit të paligjshëm nga Shqipëria drejt Italisë. Misioni u vendos në Portin e Durrësit dhe në ishullin e Sazanit në prill të vitit 1997, në kuadër të misionit “Alba”, ndërsa në mars të vitit 2004 nga Durrësi ai u zhvendos në Vlorë. Që nga shkurti i vitit 2007 Grupi i 28-të Detar u vendos në varësi të Delegacionit Italian të Ekspertëve. Në 12 vjet prani aktive në Shqipëri, Grupi i 28-të Detar ka kryer funksione të rëndësishme, siç është mbështetja e trajnimi i Marinës Ushtarake Shqiptare, shpëtimi i jetës së njerëzve në det (SAR), aktivitetet shëndetësore, asistencë në transportin e ndihmave humanitare për popullsinë, pastrimi nga eksplozivët dhe materiale të tjera shpërthyese etj. Kapacitetet e larta operacionale të demonstruara nga Grupi i 28-të Detar janë njohur dhe vlerësuar gjithmonë si nga autoritetet ushtarake dhe politike shqiptare, ashtu edhe nga popullata.
26 Shkurt 2009