Moti i keq, bora izolon katër persona në Pukë
Pukë - Dëbora izolon 4 persona, 6 kilometra larg pikës së Midës në Pukë. Kanë qenë vetë personat e izoluar që u janë drejtuar për ndihmë mediave për shkak të motit të keq dhe orëve të pasdites që vështirësuan kthimin. Pas këtij lajmi ka reaguar drejtori i Policisë së Shtetit, i cili deklaroi se drejt tyre është nisur një helikopter.
Njoftimi
Dëbora shkakton sërish probleme, duke bllokuar këtë radhë 4 persona, 6 km larg pikës së Midës në Pukë. Katër personat e izoluar janë 3 ushtarakë dhe një punonjës i Telekomit, i cili ishte nisur për shërbim drejt kullave të transmetimit në Krastë. Personat e bllokuar janë Nazmi Hila, Pjerin Voci, Angjelin Gera dhe Arben Ndoci. Kanë qenë vetë personat e izoluar që e kanë denoncuar rastin e tyre, duke kërkuar kështu ndërhyrjen e strukturave policore për t’i ardhur në ndihmë. Ata u shprehën se ndodhen të bllokuar në stacionin e pompave në rrethin e Pukës dhe se trashësia e borës atje ka arritur deri në 1.5 metra çka e bën të pamundur lëvizjen e automjeteve. Ndërkohë mësohet se drejt tyre është nisur një fadromë dhe një furgon policie për t’u ardhur në ndihmë të bllokuarve. Gjithashtu bëhet e ditur se për të mbërritur deri në Midë, 35 km larg Pukës, ku ndodhen të bllokuar 4 personat, duhet plot 2 orë rrugë, nëse kjo e fundit do të ishte e lirë.
Ndihma
Pas lajmit për bllokimin e 4 personave në pikën e Midës në Pukë ka reaguar drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Ky i fundit ka pohuar se drejt personave të bllokuar është nisur një helikopter, i cili do t’u vinte në ndihmë atyre. Në fillim helikopteri do të qëndronte në Pukë, më pas do të nisej drejt pikës së Midës, ku dhe ndodhen të izoluar 4 personat. Por operacioni nga ajri ka dështuar. Shkak për mosuljen e helikopterit të ushtrisë është bërë errësira e rënë dhe erërat e forta, çka e ka vështirësuar orientimin e tij në këtë zonë. Helikopteri është nisur drejt Tiranës dhe mësohet se drejt vendit të ngjarjes, pas kthimit të dy helikopterëve, janë nisur 30 forca policie për të zhbllokuar të izoluarve. Pas dështimit të kësaj tentative për uljen e helikopterit në këtë zonë, ku ndodhen të izoluar 4 personat, është dërguar një tjetër helikopter i ushtrisë me forcat e RENEA-s, të cilët do të mund të hyjnë në zonë duke zbritur me litarë nga helikopteri për të shpëtuar 4 të izoluarit.
26 Shkurt 2009