E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet autobusi me pasagjerë në Qafë Mali

TROPOJË- Situata e rëndë e krijuar nga reshjet në veri të vendit, ka sjellë edhe problemet e para në aksin Qafë Mali-Fierzë. Një autobus me 9 pasagjerë është bllokuar në vendin e quajtur Miliska që prej një ore e gjysëm. Apel për ndihmë në News 24.Lajmi është bërë publik për News 24 nga shoferi i autobusit në orën 18:00 të mbrëmjes së sotme. Sipas tij destinacioni i autobusit ishte Bajram Curri por prej më shumë se 1 orë e 30 minuta, kanë mbetur të izoluar këtu. Shoferi ka deklaruar se janë në pritje të një borëpastruesi. Në linjë telefonike për News 24, ai deklaroi se të nëntë pasagjerët ndodhen jashtë autobusit, pasi ka rrezik të rrëshqasë.“Momentalisht kam 1 orë e 30 minuta që jam i bllokuar, kam 9 pasagjerë në autobus. Trashësia e deborës këtu ku jemi bllokuar arrin deri në 35 cm. Kemi kërkuar ndihmë dhe presim të vijë borëpastruesja. Kam fëmijë edhe gra në autobus. Kemi dalë jashtë autobusit pasi zona është shumë e rrezikshme dhe kemi frikë të qëndrojmë brenda, pasi autobusi mund të rrëshqasë” – deklaron shoferi.Për News 24 ka folur edhe një pasagjer i bllokuar në autobusin që do të shkonte drejt Bajram Currit. Sipas tij mbrapa autobusit ndodhen edhe makina të tjera të bllokuara. Ai ka lëshuar apelin për ndihmë në News 24 pasi një pasagjer ka filluar të shfaqë problemet e para me shëndetin. “Ka edhe mjete të tjera të bllokuara, mbrapa nesh është një fuoristradë, ndërsa pas saj ndodhet edhe një makinë tjetër që nuk mund ta dalloj. Duke qënë se po rrimë në të ftohtë, njërit prej pasagjerëve i kanë filluar problemet e para me shëndetin. Jemi në pritje të borëpastruesit” – deklaron një pasagjer i bllokuar. (m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›